E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi ekonomik i PS, prezantohet në Gjirokastër

Krerë të PS kanë prezantuar në Gjirokastër programin ekonomik konkurues të kësaj force politike për më shumë vende pune, për nxjerrjen nga niveli i minimumit jetik të më shumë se 50% të popullsisë shqiptare si dhe për masa që do të mbështesin kategoritë e marxhinalizuara, ata me aftësi të kufizuara, invalidët dhe të verbërit.
 

Socialistët kanë zgjedhur ish godinën e vjetër të NVP-së në Gjirokastër për të prezantuar programin ekonomik për evidentimin e rrënimit, që sipas tyre prezantojnë sot ndërmarrje që dikur punësonin qindra punëtorë. Niveli i lartë i papunësisë, mbyllja e shumë bizneseve në zonën industriale vetëm gjatë vitit të fundit është konfirmuar edhe prej qytetarëve të pranishëm në takim.
 

Të pranishëm në prezantimin e platformës sociale kanë qenë tre krerët socialistë të bashkive të Jugut Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet. Ata pohuan se niveli i varfërisë mes komuniteteve të tyre sa vete dhe rritet. Kështu për Tepelenën shifra është dyfishuar krahasimisht me 5 vite më parë, ndërsa në Gjirokastër ajo vlerësohet të jetë gati 40% më e lartë.

Specialistët për cështjet ekonomike të PS thanë se politikat sociale të qeverisjes aktuale kanë qenë të mbrapshta. Ata kanë folur mbi disbalancën e trajtimit me fonde për bashkitë socialiste dhe përmendën Gjirokastrën si shembullin më tipik të një trajtimi plotësisht politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›