Mirdita katolike skuqet për Pashkë
Java nisi me udhën e kryqit nëpër qytet ku karvanit të qindra qytetarëve u printe kryqiashtu siç ndodhte shekuj më parë tamam me shpëtimtarin e të krishterëve, Jezu KrishtinMIRDITË- Krahina e vetme në Mirditë, homogjenikisht e besimit katolik, e quajtur dhe si toka shqiptare e katedraleve, ka kaluar një Javë të Shenjtë të magjishme në tërë vendet e spikatura të besimit apo nëpër shtëpi në fshat apo qytete, dhe kjo i dedikohet dhe punës baritore të drejtuesit apostolik të Dioqezës, monsinjor Cristoforo Palmieri. Java nisi me udhën e kryqit nëpër qytet ku karvanit të qindra qytetarëve i printe kryqiashtu siç ndodhte shekuj më parë tamam me shpëtimtarin e të krishterëve, Jezu Krishtin. Duke u lutur në heshtje, por edhe duke lexuar pjesë të ungjillit apo reflektime rreth mundimeve të Jezusit, që shkonte drejt kalvarit, si dhe duke kënduar këngë për këtë rast, pelegrinët janë ngjitur deri të ish-shatërvani ku është bërë edhe lutja përfundimtare nga Ipeshkvi Palmieri.
Më tej ka vazhduar e diela e Larit, një nga celebrimet më të veçanta dhe të populluara të prag pashkëve ku besimtarë të shumtë, familje të tëra bashkë me fëmijë si dhe të rinj, janë mbledhur në një ambient të hapur të qytetit me degët e larit në dorë. Pas një lutjeje të shkurtër dhe leximin e një pjese të posaçme të ungjillit, Imzot Cristoforo Palmieri ka bekuar këto degë për të dërguar përmes atyre gjetheve, në shtëpitë e të gjithëve, paqen e Krishtit, ashtu siç vetë aibënte në fillim të Krishtërimit me popullin e zgjedhur.
Më pas të gjithë të pranishmit, me kryqin e Krishtit përpara, janë drejtuar për në Katedrale duke përshkuar krejt rrugën e qytetit dhe duke bërë pjesëmarrës edhe njerëzit që i vështronin nga dritaret apo lokalet përbri rrugës. Duke kënduar vetëm kantikon e kësaj feste, pasi sipas udhëzimit të vetë monsinjorit, nuk ishte momenti për shumë gëzim, pas asaj që kishte ndodhur në fshatin Gërdec të Tiranës. Me shumë devocion njerëzit kanë mbërritur në Katedrale ku me fillimin e meshës, pas leximit të ungjillit dhe pikërisht historisë së mundimit të Jezu Krishtit, pas tradhtisë nga Juda dhe arrestimit nga ushtarët, akoma Monsinjori ka lënë predikimin e veçantë të festës duke shprehur vetëm këtë reflektim të tij mbi çfarë kishte ndodhur dhe solidaritetin e shfaqur.
Celebrimi vazhdoi me pjesëmarrje të denjë, duke shkëmbyer mes njëri-tjetrit shenjën e paqes dhe në fund duke marrë bekimin e shenjtë nga ipeshkvi, i cili ftoi të gjithë qytetarët e Rrëshenit të marrin pjesë në meshën e kushtimit të vajrave, ditën e mërkurë në orën 03.00 të pasdites, vajra që do të përdoren për sakramente të ndryshme për besimtarët e gjithë dioqezës.
Ipeshkvi u ka larë dhe puthur këmbët disa besimtarëve ashtu siç bëri vetë Jezusi me apostujt e tij
Përjetimi i darkës së fundit të Krishit
Ka qenë një ditë më shumë se celebrim fetar i zakonshëm dita e enjte në mbrëmje në katedralen e Rrëshenit, si një nga festat më të veçanta të historisë së krishtërimit, është përjetuar darka e fundit e Jezusit, shpëtimtarit të krishterëve. Vetë Mons Palmieri që udhëhiqte këtë celebrim ka filluar omelinë e tij duke thënë: Nëse çdo eukaristi na kujton se nuk ka dashuri më të madhe se ai që për dashuri dhuron vetveten ...
Eukaristia e kësaj nate, në kujtimin e themelimit të saj, nuk mund të mos përkufizohet ndryshe veçse një ushqim dhe burim dashurie. Ai ka shtuar më pas se duhet të kujdesemi më shumë për bukën e shpirtit, Eukaristinë, dhe jo vetëm për bukën e trupit që sidoqoftë nuk na fal dashuri, harmoni, qetësi, siç mund ta gjejmë tek korpi i krishtit, ashtu siç pjesëmarrësit dëshmonin me heshtjen plot devocion të tyre.
Por shenjat e dashurisë që u dhuron të gjithë të krishterëve kjo natë e shenjtë nuk mbaruan me kaq, për të jetuar më shumë në shërbim të njëri-tjetrit. Ipeshkvi i Rrëshenit, Cristoforo Palmieri, ashtu siç edhe vetë Papa dhe çdo meshtar bën në këtë natë, duke shprehur se ka ardhur koha të bëhet një gjest i tillë edhe në famullinë e Rrëshenit, ashtu siç bëri vetë Jezusi me apostujt e tij, plot besim dhe dashuri, u ka larë dhe puthur këmbët disa besimtarëve përfaqësues të disa shërbimeve më të nevojshme për njerëzit, shërbimin familjar, shkollor, politik, katekistik, ungjillor, për të qenë ata të parët shërbëtorë në punët e tyre, dhe të gjithë së bashku në shërbim të njëri-tjetrit, tamam si një familje e vetme. Në darkë vonë kanë qenë shumë qytetarë që kanë vazhduar në lutje personale dhe në grup, në kapelën e vogël tek katedralja.
Ndërsa të premten e shenjtë, besimtarë të shumtë janë mbledhur rreth altarit në shenjë zie për tu lutur së bashku, në zi të shpirtit për atë që dot'i kishte ndodhur Jezu Krishtit, mundimet e tij mbi kryq, tamam për shpëtimin e njerëzimit, duke dhënë edhe jetën, edhe gjakun e tij, për të krishterët, për të gjithë botën.
Pas celebrimit Mons. Palmieri në shenjë dhimbjeje, ashtu siç kishin apostujt për Jezusin e kryqëzuar, ka bërë vizitë tek të gjithë të sëmurët e spitalit të Rrëshenit, duke ua lehtësuar dhimbjen sadopak, me fjalë ngushëlluese feje dhe besimi në Jezu Krishtin. Dhe më pas mesha e madhe ka qenë ditën e shtunë në meshën e ringjalljes e mbushur me një rikuzitë në katedrale që e risillte atë moment në mënyrë shumë hyjnore.
Mirdita mbushet me fëmijë me ushqime, vezë e të tjera që janë simbol i drekës me rastin e ringjalljes së Krishtit
Bekimi i ushqimeve, tradita e pabjerrun shqiptare
Po të shtunën në mëngjes, qindra besimtarë të shtunën në mëngjes i janë drejtuar Katedrales së Rrëshenit me bukën e përgatitur enkas për këtë ditë të shënuar si dhe ushqime të tjera për t'i bekuar ato si një mbarësi e mëtejme. Viheshin re të moshuar, por dhe fëmijë të vegjël me bukën enorme, kuleçër, miell, hudhra kryesisht, vezë të ngjyera, verë e pijë të tjera. Kjo është një nga traditat më të bukura shqiptare të ruajtura me aq fanatizëm në krahinën tonë.
Me bukën dhe ushqimin e pashkëve vijnë sidomos të moshuarat, dhe ato thonë se diçka të tillë e kanë pasur edhe ato vite kur veprimtaria fetare u vu nën inkuizicion. Ashtu si dhe më të rejat, vajza të cilat kanë sjellë ushqimet për t'i bekuar, por që në njëfarë mënyre janë vijuese të traditës. Në të shtunën e sotme binin në sy dhe fëmijë me ushqime, sidomos buka enorme, vezë e gjëra të tjera që janë simbol i një dreke me rastin e ringjalljes së Krishtit. Bekimi i drekës së Pashkëve, është si ajo fara që një ditë do të nxjerrilule e frute të tjera: dhurata të gjitha të Hyjit për të mbështetur jetën tonë tokësore dhe kujtim për një ushqim tjetër që ushqen jetën tonë shpirtërore, ushqimin që është Eukaristia, edhe ajo fryt i Pashkëve. Para së gjithash ky bekim është shenjë me të cilën rinjohim se gjithçka vjen nga Hyji, gjithçka është dhuratë e tij dhe që, duke ia paraqitur, Atij që ta bekojë dhe që të na shërbejë për të mirën tonë dhe aftësisë për t'i bërë pjesë atij që është më nevojtar se ne, do të thotë që, në fund të fundit, Ai është pronari i gjithçkaje dhe që gjithçka është për të gjithë. Por përsëritim, ky ushqim tokësor, është edhe thirrje për një ushqim tjetër, për atë që mban jetën tonë shpirtërore dhe për të cilën Kisha çdo ditë falënderon Hyjin me Meshën e shenjtë: njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por edhe prej çdo fjale që del prej gojës së tij dhe prej bukës Eukaristike: Merrni e hani të gjithë, ky është korpi im, - thonte Jezusi, para Pashkëve, dhe unë do ta ringjall në ditën e fundit....