Luçiano Boçi, kreu i ri i PD-së Elbasan
ELBASAN - Luçiano Boçi do të jetë kreu i ri i degës së Partisë Demokratike në Elbasan. Ai u zgjodh pas një votimi nga 522 delegatë nga i gjithë rrethi, duke marrë 257 vota nga 505 që u shpallën të vlefshme. Kandidaturat për kreun e kësaj partie ishin Ali Turhani, Luçiano Boçi, Shefqet Deliallisi dhe Ilirjana Herri, e tërhequr më pas nga gara.
Në platformën që shtroi para zgjedhjeve zv.rektori i Universitetit të Elbasanit, Luçiano Boçi, ka pasur edhe kritika të ashpra për drejtimin e mëparshëm të degës së PD-së Elbasan. "Disa të vërteta të thëna brenda familjes, realisht nuk bëjnë keq. Dega e PD-së në Elbasan nuk ka qenë brilante për të mos thënë që ka qenë shumë poshtë nivelit të dëshiruar.
Evidentohet një hendek shumë i madh midis sukseseve të qeverisjes qendrore dhe asaj lokale të menaxhuar keq në degë", tha Boçi para delegatëve.
Ai vijoi se mungesa e analizave serioze për humbjet e vitit 2005-2007 ka sjellë pasojat negative dhe se partia kishte shkuar drejt personalizimit, dhe jo vendimeve kolegjiale. Kjo, sipas tij, kishte penguar dhe bërjen e një reforme të thellë dhe të drejtë.
"Është e patolerueshme që militantë, të persekutuar dhe njerëz me kontribute maksimale nuk janë sistemuar ende, dhe sot gjenden në kërkim të një pune.
Ne jemi mbledhur këtu për ta ndryshuar këtë sistuatë dhe çdo militant të ketë vendin e vet brenda PD-së, çdo anëtar të ketë nderin e vet në familjen e madhe demokrate", përfundoi Luçiano Boçi.
Të deleguar në këtë aktivitet zgjedhjesh ishin dy ministrat Lulzim Basha e Ardjan Turku, kreu i Kabinetit Arben Imami, Halit Shamata e Fahri Balliu.