E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; Plagosja e policit, prangosen dy shokët e autorit 19-vjeçar



Policia e Durrësit arrestoi dje dy persona të përfshirë në ngjarjen e dy ditëve më parë, ku mbetën të plagosur një punonjës policie dhe shoku i tij. Në prangat e uniformave blu ranë Alban Mançja 24 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në lagjen nr. 17 dhe emigranti 23-vjeçar Amarildo Gjeka, edhe ai me vendbanim në lagjen nr. 17 të Durrësit. Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i tyre u bë për arsye se në bashkëpunim me 19-vjeçarin nga Durrësi, Armando Lama, pas një konflikti për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me pistoletë të riun Ermal Tuka, kamerier në lokalin “Golden” në këtë qytet.

Mbi të dyshuarit janë ngritur akuzat e “vrasjes me dashje” e mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Ngjarja ndodhi në pasditen e ditës së hënë, kur 27-vjeçari Vlash Ashiku, banues në Peshkopi dhe punonjës policie në komisariatin e këtij qyteti, si edhe 27-vjeçari Shehad Muda, lindur në Peshkopi, banues në Durrës, ishin duke qëndruar në lokalin “Golden”. Autori i krimit së bashku me disa shokë të tij, në gjendje të dehur, është konfliktuar për motive të dobëta me kamerierin e lokalit, Ermal Tuka, duke përdorur fjalë fyese ndaj tij.

Më pas, autori është larguar nga lokali për t’u rikthyer përsëri, por këtë herë i armatosur me një pistoletë. Sapo është futur në mjediset e brendshme të lokalit, ai ka mbushur armën dhe e ka drejtuar nga kamerieri, por në atë moment drejt tij ka shkuar polici Ashiku dhe ka ndërhyrë për të ndaluar autorin, por ky i fundit e ka tërhequr këmbëzën e armës dhe si pasojë ka mbetur i plagosur, jo vetëm polici, por edhe shoku i tij me të cilin po qëndronte. Policia vuri në pranga dy prej shokëve të 19-vjeçarit që plagosi dy personat, ndërkohë që autori i krimit është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Ersekë

Pastronte çiften e babait, plagoset nga pakujdesia

Një 18-vjeçare është plagosur me çifte nga pakujdesia, teksa po përpiqej ta pastronte atë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kaduç të Ersekës, ku Xh. Nure, duke pastruar armën e gjahut të të atit Nure, ka marrë plagë në trup, pasi arma është shkrepur. Të afërmit kanë dëgjuar krismën dhe menjëherë kanë shkuar në dhomë. Ata kanë parë adoleshenten të gjakosur dhe menjëherë i kanë dhënë ndihmën e parë, duke e dërguar atë në spitalin e Korçës. Pas ndërhyrjes së bërë nga ana e mjekëve, 18-vjeçarja është jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve, shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë pakujdesia e treguar nga adoleshentja teksa ajo po përpiqej të pastronte armën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›