E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirditë, vritet 18-vjeçari për gjak

 

MIRDITE - Gjakmarrja merr jetën e një 18-vjeçari në Mirditë. Të paktën kjo është pista kryesore në të cilën po heton policia e këtij rrethi, për vrasjen në rrethana ende misterioze të Fatmir Pjetrit nga fshati Spaç. Viktima, djalë i vetëm i familjes Pjetri, mësohet se ishte me bagëti bashkë me një bashkëmoshatarin e tij. Ky i fundit i ka shpëtuar mrekullisht plumbave të një kallashi, të cilët sipas dëshmisë së dhënë prej tij në polici, vinin nga distanca. Ngjarja e rëndë ndodhi dje pasdite në vendin e quajtur Qershizë të këtij fshati. Z.Prenga, i cili është bërë dhe dëshmitar i kësaj ngjarje të rëndë, pohoi në polici se është ndodhur vetëm 10 metra larg vendit. Ai ka dëgjuar krismat e armës, ndërsa kur është kthyer ka parë përdhe viktimën. Ndonëse është munduar t'i japë ndihmën e parë, 18-vjeçari ndërroi jetë në vend, pasi një plumb e kishte zënë pas kokës. Ai lajmëroi menjëherë banorët e fshatit, ndërsa në vend mbërriti edhe policia. Sipas policisë, po hetohet në disa pista, por ka dyshime të forta që krimi të jetë kryer për hasmëri. Djali i xhaxhait të 18-vjeçarit mësohet se ka kryer një vrasje katër vite më parë dhe për këtë krim ai është dënuar. Dyshimi i policisë lidhet pikërisht me një gjakmarrje të mundshme nga familja e viktimës, por, sipas tyre, po hetohen edhe pista të tjera.                                                     r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›