E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj mbush 50 vjeç, mungojnë Berisha e Topalli, Topi i pranishëm

 

Klotilda Harka

Atmosferë e ngrohtë, e nëse do të quhej politike, do të ishte shumë interesante, por kur bëhet fjalë për një përvjetor, natyrisht që s’kishte si të kishte qenë ndryshe. Por miqësore aq sa për të kuptuar miqtë e vërtetë të politikanit Besnik Mustafaj, i cili 50-vjetorin e lindjes së tij, dhe 25 vite martesë me Donikën, vendosi t’i festojë në një mbrëmje speciale mes miqsh, në një ceremoni klasi, që organizoi në lokalin “Xibraku”, në periferi të Tiranës. Ishin 200 të ftuar, njerëz të politikës, medias dhe elitës shqiptare, por mund të kishin qenë më shumë, nëse nuk do të kishin munguar politikanë të mazhorancës, të cilët u pa të ishin shumë më pak nga sa Mustafaj dhe bashkëshortja Donika, u kishin dërguar ftesat në shtëpi apo zyra. Në ceremoni, që filloi rreth orës 18:30, nuk mungoi Presidenti Bamir Topi, por i vetëm pa bashkëshorten, i cili kishte udhëtuar dje nga Puka. Topi qëndroi për gati 45 minuta, i shoqëruar vazhdimisht nga Mustafaj. Dhurata të shumta, të cilat as vetë Besniku nuk do dijë sa kohë do i duhet t’i hapë të gjitha, por nga ajo që mund të shihej shumë pak prej të ftuarve kishin menduar ta përgëzonin Besnikun me një tufë lule. Spektri politik ishte i gjerë, nuk mungonin ministrat; Genc Ruli, Enkeled Alibeaj, Gazmend Oketa, Kosta Barka. Të pranishëm ishin dhe kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, Musa Ulqini, Besnik Dervishi, Andis Harasani, Edmond Haxhinasta, ish-ministrat Nard Ndoka e Fatmir Mediu, Lajla Përnaska, Sali Shehu, Sami Gjergji, Luan Skuqi dhe shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Berisha, Arben Imami. Binte në sy dhe prania e Gjergj Bojaxhiut, i përfolur së fundmi për kandidat në garën për kryetar të PD-së së Tiranës. Në ceremoni ishin po ashtu ambasadori amerikan, anglez, italian dhe ambasadorja franceze. Gjithashtu kishte shumë diplomatë dhe miq të Mustafajt nga Franca, një miqësi që ai e ka krijuar gjatë qëndrimit të tij atje, si ambasador i Shqipërisë.    
Berisha e Topalli, dhe të munguarit e tjerë
Por ajo që u ra në sy të gjithëve ishte mungesa e Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila pjesë të axhendës së saj në fundjavë kishte zgjedhur një takim në Sarandë. Por pavarësisht axhendës së tyre, a thua kjo ishte një tradhti që i bëhej Mustafajt?! Besnik Mustafaj, që normalisht dukej dhe i emocionuar pohoi se, “kishte marrë lule dhe sms në telefonin e tij pikërisht nga Berisha dhe Topalli, duke justifikuar mungesën e tyre me preokupimet që kishin patur dje. E në këtë festë mungonin dhe të tjerë pa diskutim, dhe ata që mungonin ishin as më shumë dhe as më pak, por ministra të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, si; Sokol Olldashi, Majlinda Bregu, Genc Pollo, Fatos Beja, Ylli Pango, Ritvan Bode, deputetët demokratë si; Edi Paloka, Astrit Patozi, Aldo Bumçi apo dhe lideri i PS-së, Edi Rama. Por fakti që mungonte Berisha, mos ndoshta lidhet me kandidaturën që Mustafaj ka shpallur publikisht për të kryesuar degën më të rëndësishme të PD-së, atë të Tiranës?! A mos ndoshta ky takim, ishte që ai të kuptonte mbështetësit. Në fakt festimin e këtij përvjetori, vetë Mustafaj nuk e lidhi me fatin e kësaj kandidature. Kandidimi i tij është një sfidë, apo një zhurmë, për të treguar ndoshta se nuk ndihet “i lodhur”, siç tha plot 18 muaj më parë, kur la portofolin më të rëndësishëm të kabinetit Berisha, atë të ministrit të Jashtëm. Dhe kësaj here është gati të nisë një betejë me energji të reja, kësaj radhe partiake. Po shkrimtarët ku ishin? Çuditërisht dhe njerëzit e letrave mungonin në këtë ceremoni, edhe pse dihet që profili i dytë i Mustafajt, përveç atij të politikanit, është ai i shkrimtarit.
Dy përvjetorët dhe Deborah
“Nuk ka përvjetor më domethënës se 50-vjetori i lindjes së një njeriu, dhe ndaj vendosa ta festoj mes miqsh, pasi konsiderohet si gjysmëshekulli i jetës”, tha Besnik Mustafaj për gazetën “Panorama”. Por ditëlindja e tij do të përkonte me 25-vjetorin e bashkëjetesës me Donikën, martesë nga e cila kanë dy djem të rritur, Dardanin 24 vjeç dhe Andin, 20 vjeç. E gjithmonë e kishin ëndërruar një vajzë të vogël, një ëndërr që e bënë realitet me birësimin e vogëlushes Deborah, plot 1 vit më parë, e cila nuk mungoi në ceremoninë e mbrëmshme. Deborah, vajza 14-muajshe e birësuar nga Besniku dhe Donika, e ka zbutur atmosferën mashkullore në shtëpi, me dy djemtë e rritur, Dardanin dhe Andin. Duke pozuar bashkë me vajzën e vogël, Besniku pohoi se ajo është “një mrekulli në jetën e tyre dhe që është një fëmijë që u ka sjellë vetëm gëzim dhe lumturi në familje”. Vajzën e mbante në duar vetë Donika, me të cilën dhe Besniku, edhe pse ndihet xheloz, nuk e fsheh që ajo është lidhur më shumë. Deborah ka lindur më 25 prill dhe kishte për kumbar, Besnik Mustafajn. Kjo ishte dhe arsyeja që çifti, pasi i vendosën emrin shkonin dhe e vizitonin vazhdimisht vajzën, derisa vendosën ta merrnin në shtëpi. Por tashmë, që ata kanë krijuar një lidhje kaq të afërt me vajzën e vogël, janë shumë të mrekulluar, dhe ishte dhurata që i bënë bashkëjetesës së tyre 25-vjeçare. Tashmë ajo është shumë e vogël, dhe ajo që mund të kuptohet është pamja shumë engjëllore, dhe i një fëmije shumë të bukur, dhe motra shumë speciale e dy vëllezërve të rritur. Dardani, 24 vjeç, që ka mbaruar studimet për Jurisprudencë në Paris, dhe ka hapur një studio avokatie në Tiranë dhe është tipi i djalit të qetë. Ndërsa djali i dytë Andi, 20 vjeç, i cili ndjek universitetin “Paris 2” për Jurisprudencë, është më energjik dhe më çapkën. Deborah, çfarë tipi vajze do të jetë? Le t’ia lëmë kohës!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›