Shkodër, qëllohet në pritë 50-vjeçari
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Ekzekutohet në pritë 50-vjeçari. Afër mesnatës së të premtes një breshëri automatiku është qëlluar në drejtim të makinës së Enver Hysenit, por një plumb i vetëm në zemër i ka shkaktuar vdekjen. Viktima, baba i 3 fëmijëve po udhëtonte me makinë në aksin rrugor Dajç-Darragjat, kur 2 km larg shtëpisë së tij ndodhi atentati. Sipas burimeve të policisë, 50-vjeçari Hyseni, i njohur dhe me mbiemrin Ramazani drejtonte një fuoristradë "Benz" ML me targa të huaja në momentin e krimit, duke ndjekur një rrugë dytësore fshati që të mbërrinte deri në banesë. Në afërsi të fshatit Shirq të komunës Dajç, rreth 20 km larg Shkodrës, persona ende të paidentifikuar kanë dalë nga shkurret në krah të rrugës, duke e qëlluar. Banorët e zonës nga larg kanë dëgjuar krismat, por pa e ditur nga vinin ato. Rreth mesnatës në vendngjarje ka mbërritur policia, duke zbuluar se bëhej fjalë për një viktimë, të qëlluar nga persona misteriozë. Sapo është identifikuar viktima, policia ka verifikuar se Enver Hyseni, pak para vrasjes kishte qëndruar në lokalin e fshatit për disa orë duke luajtur domino me miq të tij. Këtë veprim duket se ai ka ndjekur prej kohësh, pasi atentatori e ka ditur lëvizjen dhe orarin e 50-vjeçarit. Mendohet se vrasësi ka qenë i fshehur në krah të rrugës dhe në errësirë viktima nuk e ka dalluar dot. Mjeti ku ndodhej viktima është qëlluar fillimisht me breshëri automatike nga pjesa e përparme, më pas breshëria ka nisur edhe nga pas. Sipas ekspertëve, makina ka vazhduar të lëvizë edhe rreth 30 metra të tjera dhe më pas ajo ka rënë në kanal. Vrasësit e kishin studiuar mirë vendin ku kishin vendosur të bënin pritën, pasi përgjatë atij segmenti rrugor prej rreth 1 km nuk ka fare banesa të tjera. Kjo ka bërë që edhe pse janë dëgjuar breshëritë e automatikut, vrasja të merrej vesh me vonesë.
Gjatë gjithë ditës së djeshme, policia e Shkodrës nuk ka pasur një pistë të qartë mbi motivin e krimit apo autorët e tij. Mësohet se grupi hetimor ka nisur punën që në orët e para të mëngjesi të djeshëm, ku pasi është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën 3 gëzhoja automatiku. Sipas policisë, viktima është qëlluar me breshëri, por 1 plumb i vetëm e ka prekur në trup, pikërisht pranë zemrës, ndërsa të tjerët janë shpërndarë nëpër fushë. Personat e parë të shoqëruar në policinë e rrethit kanë qenë shokët e tij të lojës, të cilët ishin të fundit që e panë viktimën. Por, ata kanë mohuar të ketë pasur ndonjë grindje në atë moment, duke përjashtuar paraprakisht pistën e vrasjes për motive të dobëta. Madje, sipas tyre, në lokalin e fshatit nuk kanë parë të hyjnë persona të dyshimtë, në çastet kur Hyseni po luante domino. Burime nga komisariati i policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se, deri tani të pyeturit nuk kanë dhënë ndonjë informacion me vlerë, i cili mund t'i orientojë uniformat blu që të ngrenë ndonjë pistë të mundshme nga ku mund të fillojnë edhe hetimet e para. Gjithsesi një gjë është e sigurt, se autorët (pasi për momentin dyshohet të kenë qenë më shumë se një person) kanë ndjekur me imtësi itinerarin e lëvizjeve të 50-vjeçarit.
Dy krimet mister në Shkodër
SHKODER - Dy vrasje kanë mbetur të pazbardhura në qarkun e Shkodrës në 5 muajt e fundit. Një prej dosjeve misterioze është ajo e krimit ndaj biznesmenit Esat Valbona, 45 vjeç, i cili u qëllua me një armë sportive nga persona ende të paidentifikuar. Asnjë shenjë, veç gëzhojës së vetme në trupin e viktimës nuk u gjet si provë nga policia e qytetit, ndonëse ndodhi në orët e para të mbrëmjes. Ndërsa një muaj më parë, në një tjetër lagje të populluar të Shkodrës u qëlluan dy persona me armë zjarri. Nail Grezda, 46 vjeç humbi jetën, ndërsa u plagos 38-vjeçari Artur Kola. Ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë, ende nuk ka persona konkretë të akuzuar për krimet.