E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumba mes qytetit për vendin e parkimit

 

LEZHE - Tre të rinj nga Lezha shkëmbyen zjarr në mes qytetit, duke terrorizuar banorët. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes rreth orës 21:00. Sipas policisë, Aleks Doda, Sajmir Doda dhe Bledar Deda, për pak nuk e kthyen në tragjedi konfliktin e disa orëve para se të ndodhte shkëmbimi i zjarrit. Mësohet se të rinjtë kishin debatuar për vendin e parkimit e disa orë më pas, kur mjetet e tyre u shkëmbyen sërish në qytet, ata tentuan të qëllonin njëri-tjetrin me pistoleta. Disa orë pas kësaj ngjarjeje të rëndë që terrorizoi kalimtarët e shumtë që u ndodhën në vend, policia bëri të mundur arrestimin e dy nga tre personat e përfshirë në këtë konflikt me armë. Sipas policisë, të arrestuarit janë Aleks Doda dhe Bledar Deda. Mësohet se në kërkim është shpallur Sajmir Doda, i cili në momentin që ka pikasur ndjekjen e policisë ka zbritur nga makina dhe është larguar në drejtim të paditur. Sipas policisë së Lezhës, tre të rinjtë akuzohen për veprat penale të "vrasjes së mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtjes pa leje". Policia akuzoi Dedën edhe për veprën penale të "veprimit që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Me këtë akuzë do të hetohet edhe Indrit Kolgjoka, i cili po ndiqet në gjendje të lirë, pasi nuk ka qenë pjesë e konfliktit me armë. Sipas policisë, Sajmir Doda ka tentuar të parkojë makinën në afërsi të stadiumit "Besëlidhja" rreth orës 15:00, por nuk është lejuar nga Bledar Deda, i cili pretendonte se e kishte zënë i pari vendin. Pas më shumë se pesë orësh nga debati, ata rinisën konfliktin kur u shkëmbyen me makina, por kësaj radhe me armë.                                      r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›