Milani me “Topa të artë” në Tiranë
Dash Frashëri
Kaka e Shevçenko. Dy fitues të “Topit të artë” (2007e 2004) në “Qemal Stafa”. Është rast unikal. Të luajnë në Shqipëri shtatë herë kampionët e Europës është më shumë se një ëndërr. Prandaj 14 tetori në Tiranë do të jetë dita e futbollit. Një “minifinale” me aromë Champions. Milani, klubi më shumë trofe në botë, do të jetë përballë 23-herë kampioneve të Shqipërisë, Tiranës në trofeun “Taci-Oil Albania Readers”.
SFIDË MIQËSIE – Është një sfidë që me shumë se futbolli, është parë në sfondin e miqësisë midis dy vendeve, Shqipërisë e Italisë. Përveç këtyre në kryeqytetin shqiptar do të jenë kapiteni legjendar Paolo Maldini (rekordmen me 1000 ndeshje në total, 600 në Serinë A), fantazisti virtuoz Andrea Pirlo, talenti brazilian Pato, e dy figura karizmatike kuqezi si Masimo Ambrozini e Klarens Sedorf, i vetmi lojtar që ka mundur të fitojë Ligën e Kampioneve me tri klube të ndryshme. “Një listë e plotë me të gjitha emrat në datën 6 tetor. Jemi me fat, që nuk do të ketë grumbullime të lojtarëve të Milanit. Besoj se do të mungojnë 1-2 lojtarë, jo më shumë”. Taçi dha hollësi edhe për argumentet që bindën Milanin të vinte në Tiranë. “Kanë qenë disa komponentë të cilët nga ana jonë u garantuan për të realizuar këtë moment të rëndësishëm, për ne, për sportdashësit shqiptarë kudo që janë, sepse pa dyshim ngjarje si ardhja e Milanit ndikojnë pozitivisht në imazhin jo vetëm të sportit, por dhe më tej”, - tha presidenti i kompanisë “Taci-Oil”, Rezart Taçi, i cili bëri të mundur edhe organizimin e kësaj miqësore me vlera simbolike.
ËNDËRR E PËRHERSHME -“Ëndrra ka qenë prej vitesh, bisedimet një muaj. Nuk ishte aspak e vështirë të bindja presidentin (e Milanit, Berluskoni), por stafin po”, - tha me krenari e emocion Taçi. “Nënshkrimi i kontratës mes meje e zotit Adriano Galiani erdhi pas një muajsh kontaktesh intensive, pasi siç e dini dhe ju për drejtuesit e Milanit nuk ishte e lehtë për të marrë një vendim të tillë”, - shtoi bosi i një prej kompanive më të mëdha të karburanteve në Shqipëri, dhe pjesë e konsorciumit amerikano-zvicerano-shqiptar që bleu 85% kompaninë shtetërore “Armo”.
“Do të falënderoja presidentin e kompanisë ‘Taci-Oil’, që bëri të mundur ardhjen e këtij ekipi të madh, një prej ekipeve më të mëdhenj të kontinentit. Falënderimi tjetër ka të bëjë me zgjedhjen e klubit të Tiranës. Mendoj se kanë bërë një zgjedhje të mirë. Është një ekip për të cilin kanë kontribuar futbollistët e shumë viteve- tha në fjalën e tij presidenti i Klubit të Futbollit “Tirana”, Refik Halili.
TIRANA DINJITOZE -“Si klub do të bëmë të gjithçka për të bërë një prezantim sa më dinjitoz në këtë ngjarje kaq të madhe, që në Shqipëri them se do të jetë e rallë. Tirana është më aktivitet, por atë ditë (14 tetor) do të bëjmë të pamundurën për të qenë sa më dinjitozë e seriozë për ta ngritur edhe më shumë këtë spektakël të madh”. Kryedonatori i Tiranës tha se edhe Tirana e tij synonte fitimin e trofeut “Taci-Oil Albania Readers”, por qëllimi i bardhebluve ishte prezantimi dinjitoz i futbollit shqiptar. “Ekipi i Milanit është një ekip shumë i madh dhe për ne është fat, që të luajmë kundër tyre. Të them se atë do të shihni se do të jetë Tirana e vërtetë, mbase mund të bëj ndonjë budallallëk, por do të mundohemi të paraqitemi sa më denjësisht. Do ta vlerësojmë më shumë takimin se në ndeshjen me Dinamon (për kampionat, katër ditë më pas)”.
TROFE I PËRVITSHËM
Presidenti i “Taci-Oil” shprehu bindjen se trofeu “Taci-Oil Albania Readers” do të jetë një aktivitet i përvitshëm “Sërish me Milanin? Ndoshta, por mbase edhe ndonjë skuadër tjetër e Serisë A”.
NDESHJA
Ekipi i Milanit do të shoqërohet nga një grup gazetarësh të njohur të medias sportive italiane. Ndeshja do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, më 14 tetor ora 19:00.
AKTIVITETE
Ditën e ndeshjes janë parashikuar shumë aktivitete me pjesëmarrjen e zëvendëspresidentit Adrian Galiani, trajnerit Ançeloti, kapitenit të skuadrës Maldini.
MILAN CHANELL
Takimi do të transmetohet direkt në “Milan Channel” dhe “Mediaset Premium. Kompania “Taci-Oil” ka kontaktuar me nje televizion shqiptar për ta transmetuar evenimentin e rrallë.
20 Shtator 2008