E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirë, me ambasadorët

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi tha se nuk do të ketë pensionim të ambasadorëve aktualë. Ai mohon se po shkelet ligji gjatë procesit të përzgjedhjes së ambasadorëve të rinj. Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Donika Kada-Bujupi tha se lista me kandidatë do t’i dërgohet sot Komisionit.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk do të “pensionojë” asnjë nga ambasadorët aktualë.

Zëvendësministri i MPJ’së, Ibrahim Gashi thotë se lëvizjet të cilët do të bëhen janë vetëm pjesë e strategjisë për zhvillimin e shërbimit diplomatik të Kosovës.

“Nuk ka pensionim të ambasadorëve. Strategjia për zhvillimin diplomatik parasheh konsolidimin e shërbimeve diplomatike”, tha Gashi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni pati kritikuar MPJ’në për ligjore me vendimin për lëvizjen e ambasadorëve aktualë.

“Sipas ligjit aktual, ata mund të emërohen dhe mund të shkarkohen kurdo nga Presidentja, mirëpo gjithsesi kjo nuk bëhet para katër vitesh dhe kjo është një praktikë që ndodh çdo kund”, pati deklaruar Hyseni.

E për zëvendësministrin Gashi është për t’u habitur se deklarata të tilla vijnë nga një ish-ministër që e njeh Ligjin. “E keqja ma e madhe është kur këtë ta thotë një ish-ministër që e di Ligjin, i cili është hartuar në kohën e tij” ka thënë Gashi.

E kur është fjala për ish –Ministrin Gashi ka një dëshirë.

“Do të dëshiroja ta kisha një debat me të e të di ku po shkelet Ligji”, u shpreh Gashi.

“E kuptoj që ai është tash në opozitë por është mirë që të flas gjëra të bazuara”, tha ai. Ish-ministri Skënder Hyseni, pati kritikuar MPJ’në edhe për strategjinë lobuese të saj. Në lidhje me këtë Gashi ia rikujton Hysenit numrin e njohjeve të arritura.

“Nuk dua me u marrë ma shumë me kritikat e ish-ministrit por i them që kur ai e ka pas Ministrinë, Kosova i ka marrë 65 njohje e tash i ka 85 për më pak se 9 muaj. Për tri vjet i ka marrë 65 vetëm prej shteteve që kanë qenë me disponim për me e njohtë pra, njohje të lehta”, tha Gashi.

“Natyrisht kur nuk ka diçka substanciale për çka të kritikohet kjo Ministri atëherë duhet lëshuar kësi lloj deklaratash balon se po shkel ligjin”, tha Gashi duke bërë të ditur se Konventa për Marrëdhënie Diplomatike të Vjenës e parasheh që nga 2 deri në 4 vjet mund të ketë lëvizje të shërbyesve diplomatikë.

Gashi nuk ka pranuar të flasë për emrat e ambasadorëve të rinj dhe kohën kur lista me ata emra do të dërgohet në Komisionin parlamentar për punë të jashtme. Mirëpo, anëtarja e këtij Komisioni, Donika Kada- Bujupi ka bërë të ditur për “Express” se lista do të dorëzohet të premten.

“Të premten do ta marrim listën”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Zëvendësministri Ibrahim Gashi ka theksuar se i tërë viti 2012 do t’i kushtohet veprimeve për konsolidimin e misioneve të reja dhe atyre ekzistuese diplomatike.

Ai ndër të tjera bëri të ditur se Ministria është duke punuar rreth hapjes së Konsullatave të Kosovës. “Deri tani kemi 800 aplikacione nga të interesuar por nuk ka asgjë konkrete ende”, tha Gashi. Ai foli edhe për marrëveshjen ndërmjet partnerëve të koalicionit PDK dhe AKR, duke thënë se kjo e fundit do të marrë edhe një ministri, pa konkretizuar se cilën ndërsa, ka mohuar deklaratat rreth shkeljes së marrëveshjes ndërmjet koalicionit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›