Zgjidhja e problemeve të zgjidhet përmes dialogut

Njohësi i çështjeve politike dhe njëherësh avokat Azem Vllasi, ka thënë se Serbia po keqpërdorë serbët e veriut për qëllimet e saja politike. Ai me këtë rast u bëri thirrje serbëve të veriut që të hyjnë në dialog me institucionet e Kosovës për zgjidhjen e problemeve praktike.
“Porosia ime për serbët në veriun e Kosovës është që të hyjnë në dialog me institucionet e Kosovës dhe në dialog të tillë le të parashtrojnë kërkesa legjitime që kanë, le t’i paraqesin shqetësimet e veta, para institucioneve të Kosovës. Institucionet e Kosovës ashtu do t’i sjellin në një pozitë që të mbajnë përgjegjësi e jo vetëm të shikojë Qeveria e Kosovës se çka po bën KFOR-i dhe a po mundet të shkojë ndonjë polic i EULEX-it atje”, ka thënë ai.
Ndërkaq Adriana Hoxhiq nga Ekipi Përgatitor Komunal, ka thënë se zgjidhja e vetme dhe e duhur është vazhdimi i dialogut të ndërsjellë.
“Dialogu është mënyra e vetme për zgjidhje e duhur. Nëse ky dialog është i mirë, apo jo se a do të ketë rezultate apo jo është ende herët për të nxjerrë një përfundim për këtë. Sido që të jetë, dialogu duhet të vazhdojë nëse mendojmë të lëvizim nga kjo pikë, pa marrë parasysh se çka do të ndodhë me këtë dialog. Unë ju bindi se Ekipi përgatitor komunal do të vazhdojë të punojë së bashku me komunitetin, do ta kontaktojë dhe do ta dëgjojë se çka dëshiron, dhe do t’i shfrytëzojë të gjitha format për zgjidhjen e problemeve të përditshme që i kanë qytetarët në veri të Kosovës”, ka thënë ajo.
Edhe Petar Miletiq nga partia SLS, ka thënë se edhe pse nuk ka rezultate konkrete dhe marrëveshjet e arritura për çështje praktike në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë duke u zbatuar, megjithatë zgjidhje e vetme mbetet dialogu.
“Unë mendoj se do të ishte mëkat që të ndërpritet dialogu, sepse unë mendoj që megjithatë janë arritur disa rezultate, për faktin që ende nuk ka filluar të implementohet ajo për çka është arritur marrëveshja është çështje tjetër. Afati për implementimin e marrëveshjes që janë arritur deri me tani ka qenë 1 nëntori, këtë e dinë të gjithë. Unë nuk e di, nuk kam informacion që ka filluar implementimi dhe mendoj që jo, mirëpo liria e lëvizjes dhe fakti që njerëzit me letërnjoftime të Kosovës do të lëvizin lirshëm mendoj që ky është një përparim”, ka thënë Miletiq.
Serbët e veriut kanë vendosur barrikada tash e sa muaj në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikat 1 dhe 31 në veri. /kosovapress/