E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të akuzuarit për pedofili kërkojnë të lirohen

Avokatët e të pandehurve pretenduan dje në seancë se kishin mbaruar afatet e burgimit për klientët e tyre


TIRANE- Dino Kristodulu dhe Robin Arnold, dy britanikët e akuzuar nga drejtësia shqiptare për abuzime me të miturit dhe pedofili, në ambientet e shoqatës "Fëmijët e tij", që drejtohej nga David Braun, gjatë viteve 2003- 2006, kanë pretenduar kërkuar dje në Gjykatën e Tiranës lirimin e tyre. Kjo kërkesë është parashtruar me argumentin se ndaj tyre kishin përfunduar të gjithë afat e burgimit.


Për këtë shkak gjatë seancës së zhvilluar gjatë ditës së djeshme avokatët e dy të pandehurve kërkuan në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet lirimin e klientëve të tyre. Në këtë kërkesë mësohet se avokatët kanë llogaritur kohën e nisjes së procedimit penal nga prokuroria e Tiranës për David Braun, dhe për dy bashkëpunëtorët e tij Kristodulu e Arnold.


Po kështu si periudhë burgimi është llogaritur prej tyre edhe koha e qëndrimit të dy të akuzuarve në burg në Skoci dhe Angli, pas urdhrit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar prej tyre nga autoritetet shqiptare.


Sipas pretendimit të avokatëve, klientët e tyre duhej të ishin lënë të lirë prej kohësh, pikërisht për shkak të përfundimit të afateve të burgimit të tyre ndërkohë që procesi gjyqësor në ngarkim të tyre ende nuk ka nisur.


Ndërkaq gjatë ditës së djeshme, në gjykatën e Tiranës dëshmoi edhe një person tjetër, i thirrur nga akuza për të hedhur dritë mbi veprimet e e turpshme dhe abuzive të kryera nga dy britanikët Arnold e Kristodulu ndaj fëmijëve që ishin strehuar në qendrën "Fëmijët e tij" në kryeqytet, e drejtuar nga David Braun.


Ky i fundit është dënuar nga Gjykata me 20 vite burg për këto abuzime. Dëshmia e djeshme u administrua nga trupi gjykues gjatë seancës së djeshme, ndërsa për kërkesën e avokatëve për lirimin e dy të akuzuarve vendosi të shprehej në seancën e ardhshme pasi të llogariteshin ditët e plota të qëndrimit të tyre në qeli, në Shqipëri dhe në Britaninë e Madhe.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›