Mirel Josa, trajner i ri i Skënderbeut
I larguar javën e shkuar nga skuadra e Teutës për mungesë rezultatesh, Mirel Josa është prezantuar sot përpara lojtarëve dhe tifozëve të skuadrës së Skëndërbeut. Josa e ka drejtuar edhe më parë ekipin korçar dhe nesër ndaj Teutës do të jetë ai që do të drejtojë bardhekuqtë. Gjatë karrierës së tij si futbollist Josa ka luajtuar për skuadrën e Tiranës, ku është shpallur disa herë kampion i vendit. Si trajner ai ka drejtuar ekipin e Tiranës me të cilin është shpallur një herë kampion, si dhe skuadrat e Vllaznisë, Elbasanit, Teutës dhe Skënderbeut. Por ai nuk do të jetë trajneri i vetëm i ri këtë javë në Superligë, pasi edhe Teuta e ka gjetur zëvendësuesin e Mirel Josës, duke zgjedhur trajnerin Ylli Shehu në drejtimin e skuadrës. Po ashtu, ndryshime në pankinë pritet të bëhen edhe në klubin e Tiranës, pasi Komisioni Apelit në FSHF ka konfrimuar dënimin një vjeçar të trajnerit Alban Tafaj. Sot kryesia e klubit pritet të vendosë nëse Tafaj do të zëvendësohet nga një trajner tjetër, apo do të vazhdojë të drejtojë ekipin e Tiranës nga tribuna.