“Gërdeci”, Minxholli “tradhton” Patrik Henrin
“Një ditë para tragjedisë së Gërdecit, Patrik Henri ka qenë në Shqipëri, na takoi mua dhe Mihal Delijorgjin duke firmosur një kontratë për vijimin e punës”, tha Minxholli para togave të zeza. Ndërkohë, Patrik Henri në shkresën e tij dërguar nga Zvicra ka deklaruar se nuk kishte qenë ndonjëherë në Shqipëri, pretendim i cili është hedhur poshtë sot nga ish-drejtori i kompanisë së demontimit të armëve. Sipas Minxhollit, Patrik Henri ishte rikthyer në Shqipëri për të diskutuar për faturat financiare gjatë demontimit të armëve. Po sot, në proces kanë dëshmuar dëshmitarë të tjerë, ku njëri prej tyre ka deklaruar se brenda ndërtesës kishte pasur një saldatriçe dhe kjo sipas tij, ka shkaktuar shpërthimin tragjik. Megjithatë, në këtë pikë dëshmitarët janë përplasur me njëri-tjetrin, për sa i përket shkaktarëve të shpërthimit. Për këtë arsye, gjykata ka kërkuar që të rihetohet sërish në vendin e shpërthimit.