Shoqëria dhe politikanët turistë, të një vendi të papunësh
Duam të kemi një Shqipëri të ndërtuar me rregulla, me ligje, me punë, me disiplinë dhe drejtësi. Por në realitet ndeshim skamjen, varfërinë, papunësinë dhe korrupsionin. Kjo gjendje dramatike është bërë shtysë që mijëra shqiptarë të marrin rrugët e mërgimit.
Në pamundësi të një vize të rregullt, shtetasit e këtij vendi, që drejtohet nga politikanë që për vete udhëtojnë me pasaporta shërbimi e diplomatike, ikin maleve e deteve në mënyrë të paligjshme, ende në 2008-n. Politikë turiste e një vendi emigrantësh…
Politikë turiste e një vendi të papunësh. Jetojmë në një shoqëri ku po bëhet përditë e më vështirë për njeriun e thjeshtë të gjejë një buzëqeshje, një mbështetje.
Dhe politika vijon premtimet. Premtime që mbeten më mënyrën më të pacipe, vetëm të shkruara në letër. Premtime që i merr flladi e jo më era. Kemi ndërtuar një shoqëri të padrejtë. Nga njëra anë janë ata që kanë mundësi të vjedhin dhe e bëjnë këtë periodikisht dhe me kënaqësinë më të madhe. Nga ana tjetër janë “spektatorët” e shokuar. Ata druhen, kanë frikë.