“Mirëmëngjes Shqipëri”, Opozita në protestë – analistët dhe gazetarët komentojnë mbi mesazhet, pjesëmarrjen dhe pritshmëritë e shoqërisë

Pas protestës së Partisë Demokratike të zhvilluar para Kryeministrisë, ku kryetari Sali Berisha shpalli se nisma parlamentare–qytetare synon të shndërrohet në një lëvizje kombëtare për mbrojtjen e familjes dhe votës së lirë, në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” u zhvillua një debat i gjerë mbi efektin, kohën dhe mesazhet e protestës.
Analistë dhe gazetarë të ftuar diskutuan gjerësisht mbi domethënien e protestës, kohën e organizimit, mesazhet që ajo përcolli dhe ndikimin e saj tek shoqëria dhe politika shqiptare.
Për një pjesë , protesta u konsiderua e vonuar dhe pa energjinë e duhur, duke treguar mungesën e frymës së opozitës; për të tjerë, ajo u pa si një shenjë emancipimi dhe demokracie, një impuls pozitiv që nxjerr në pah problemet e qeverisjes.
Një tjetër këndvështrim e pa si shenjë të ftohjes së qytetarëve ndaj opozitës, të reflektuar në mungesën e pjesëmarrjes dhe në distancimin e publikut nga mesazhet e saj.
Ben Andoni: “PD-ja e vonuar, pa energji dhe pa taktika“
Analisti Ben Andoni u shpreh se opozita është jashtëzakonisht e vonuar në protestat e saj dhe se veproi gabim duke organizuar tubimin në një ditë kur dy lajme të mëdha dominuan skenën politike, sikurse ishte hapja e kapitullit të gjashtë për Shqipërinë dhe zhvillimet në Gjykatën Speciale të Hagës.
“Opozita është jashtëzakonisht e vonuar në protestat e saj. Vetë Sali Berisha ka deklaruar se po presin raportin e OSBE-ODIHR, dhe kjo tregon se PD-së i mungojnë taktikat reale për të shkuar në rezistencë ndaj pushtetit të mazhorancës. Taktikisht, për mua dje, kanë vepruar gabim sepse dy lajme të mëdha ishin dje: së pari hapja e grupkapitullit të gjashtë dhe të fundit për Shqipërinë, një lajm historik për gjithë politikën shqiptare dhe jo vetëm për Partinë Socialiste; së dyti, ajo që po ndodh në Gjykatën Speciale të Hagës, ku është gati për t’u shbërë lufta e UÇK-së. Në këtë sens, protesta akoma nuk e ka ‘karburantin’ e mjaftueshëm për t’u kthyer në revoltë. Realisht, ajo që njerëzit presin nga opozita është jashtëzakonisht larg. Për mua, nuk bëhet opozita e Shqipërisë nga SHQUP-i, në Parlament, por opozita ka nevojë për frymë. Por këtë frymë, më vjen keq ta them, nuk e gjej tek Partia Demokratike.” tha ai.
Reldar Dedaj: “Protesta është shenjë emancipimi dhe demokracie”
Gazetari Reldar Dedaj e pa protestën si një element pozitiv për shoqërinë, duke e cilësuar si shenjë emancipimi dhe demokracie.
“Shumë mirë që opozita proteston sepse kjo tregon se shoqëria ka impulse dhe kjo është një shenjë emancipimi dhe të demokracisë. Protesta nuk duhet parë si element negativ i shoqërisë por përkundrazi duhet mbështetur edhe nga aktorë të tjerë të cilët pajtohen ose nuk pajtohen me Partinë Demokratike. Në thelb protesta nxjerr në pah problemet e qeverisjes, të shoqërisë, keqmenaxhimit të buxhetit të shtetit. Një qeveri edhe pse mund të punojë mirë, për shkak të jetëgjatësisë në pushtet e bën ndonjëherë jo në favor të interesit të qytetarëve. Protesta e opozitës vjen në një kohë kur perceptimi i opinionit publik në raport me mazhorancën socialiste, i ndihmuar edhe nga drejtësia e re sepse dosjet po vërshojnë në SPAK, ka krijuar një klimë që opozita duhet të ngrihet dhe të mos jetë apatike por duhet të protestojë. Ishte një protestë me një qasje tjetër, ashtu siç kërkon edhe vetë shoqëria pa akte radikale. Aktet radikale nuk prodhojnë asgjë sepse nuk i pranon as shoqëria por as ndërkombëtarët. Shoqëria ka nevojë për sqarim, ka nevojë për orientim, ka nevojë për denoncim. Partia Demokratike në thelb po bën atë që kërkon shoqëria shqiptare, ndryshe nga herët e tjera.”
Ermal Hasimja: “Mungesa e pjesëmarrjes tregon ftohje me opozitën”
Analisti politik Ermal Hasimja u fokusua tek numrat dhe pjesëmarrja, duke thënë se mungesa e tyre tregon një ftohje të madhe me opozitën.
Ai tha se mungesa e pjesëmarrjes në protestë tregon dy gjëra kryesore: nga njëra anë frikën e qytetarëve për të dalë në shesh, pasi shumë kanë të afërm të punësuar në administratë dhe ndihen të rrezikuar; nga ana tjetër, një ftohje dhe mospërputhje të madhe mes pritshmërive të publikut dhe asaj që opozita po realizon.
“Çështja e numrave jo detyrimisht mat dakordësinë e opinionit publik apo të elektoratit me qeverinë. Për mua ajo më tepër mat presionin që reflektojnë tek njerëzit, sepse ka shumë njerëz që kanë frikë dhe siklet të dalin nëpër protesta, pasi kanë të afërmit e tyre që punojnë në administratë dhe janë të rrezikuar. Por gjithashtu, mungesa e pjesëmarrjes mat edhe një lloj ftohjeje me opozitën, pra një mospërputhje të jashtëzakonshme që kanë njerëzit me opozitën dhe me atë që opozita po realizon konkretisht. Nëse do të organizohej vërtet protesta për atë që njerëzit mendojnë për mazhorancën, do të kishte një rezultat tjetër. Ka një strategji të opozitës, sipas meje, që si edhe në rastet e mëparshme me z. Veliaj dhe z. Ahmetaj, nuk sulmon eventualisht ata që mund t’i prishin punë Edi Ramës, pra sipas teorisë ‘Armiku i armikut tim është miku im’. Shpresa e përhershme e PD-së është që në një moment të caktuar këta individë do të nxjerrin të dhëna që do ta rrezikonin pushtetin e Edi Ramës.”.
Ardit Rada: Opozita duhet të tregohet më e sinqertë. Numrat janë tregues i forcës dhe organizimit
Gazetari Ardit Rada vlerësoi pjesëmarrjen në protestë si tregues të forcës dhe organizimit të opozitës, duke theksuar se më shumë rëndësi kanë mesazhet e saj sesa numrat.
Megjithatë, ai kritikoi mungesën e sinqeritetit nga Partia Demokratike, pasi sipas tij Sali Berisha shmangu të fliste për akuzat konkrete ndaj zv.kryeministres.
Rada nënvizoi se opozita duhet të jetë më e drejtpërdrejtë dhe e hapur me qytetarët, përndryshe krijohet dyshimi se synimi i saj është vetëm përçarja e PS-së dhe jo marrja e pushtetit.
“Për një parti opozitare numrat janë shumë të rëndësishëm jo vetëm në parlament por edhe në protesta. Pjesëmarrja në këto protesta është tregues jo vetëm i forcës, por i frymës dhe organizimit të vetë opozitës. Nëse duam të shmangim debatin për pjesëmarrjen dhe të besojmë atë që thuhet nga përfaqësues të PD-së se ishte një protestë e minutës së fundit, ne duhet të merremi me mesazhet që u prodhuan në këtë protestë. Ka një mungesë sinqeriteti nga PD-ja sepse dje gjatë fjalës së tij Berisha foli për gjithçka por nuk foli për akuzat konkrete nga zv.kryeministrja. . Opozita duhet të ishte më e drejtpërdrejtë sepse kur mungojnë numrat, mungon organizimi, duhet të jenë më të sinqertë në ato që i thonë njerëzve. Përndryshe do të ketë hije dyshimi se ka si qëllim vetëm përçarjen e PS-së dhe jo marrjen e pushtetit.”
/rtsh.al/