Mirënjohje kombit italian për albanologun At Zef Valentini
Presidentit të republikës italiane, zotit Giorgio Napolitano
I nderuari president
Ndoshta kjo letër do t’iu befasojë, por edhe njëri prej qëllimeve tona është t’iu ofrojmë një surprizë të këndshme dhe frymëzuese. Unë që po ju shkruaj jam Ndriçim Kulla, studiues, publicist dhe botues i Shtëpisë Botuese “Plejad”, Tiranë, Shqipëri. Para pak ditësh kam botuar një libër (që po ua dërgoj bashkëngjitur), të titulluar “At Giuseppe Valentini: Albanologu më i madh i shekullit XX”. Ky botim është kurorëzimi i një pune studimore të nisur rreth dy dekada më parë, me selektimin, skedimin, seleksionimin dhe përgatitjen për botim të veprës shumë vëllimshme, që ky njeri i ditur At jezuit, i lindur në Padova, versnik me shekullin XX, ka lënë nëpër aq shumë arkiva, biblioteka, revista, gazeta e botime ku ai kontribuoi. Tashmë - në sajë të një pune te vëmendshme vlerësuese nga shoqëria e sotme shqiptare, nje pjese e punes se tij shkencore ka arritur të botohet në një kolanë 20 vëllimëshe, që gjithsesi përbën gati një të tretën e gjithë korpusit të veprës valentiniane. Ndaj, vlerësimi edhe pse befasues, është mëse i merituar dhe i mirëpritur nga qarqet akademike të fushave të shkencës që ai lëvroi. Atdheu ynë, nëpërmjet regjimit komunist e dënoi jo vetëm me heshtjen dhe ostracizmin më të egër, por edhe me dënimin si armik, ndërkohë që aktiviteti i tij, pas vitit 1944 u shtua akoma dhe më tepër në Itali dhe gjetkë, falë flakës së dashurisë për shqiptarët, historisë dhe kulturës së tyre, traditave dhe etnicitetit të lashtë, autentik e krijues, që ai gjeti tek ata e që luftoi me gjithë forcën e dijes së vet të stërmadhe t’ia bëjë të ditur botës në tërë shkëlqimin e saj. Pas disa vitesh nga vdekja e tij (1979), një grup studiuesish italianë dhe te tjere nga Europa, në hyrje të një botimi prestigjioz mjaft voluminoz dhe te zgjedhur, me titull “Studime albanologjike, balkanologjike, bizantine dhe orientale”, për nder te Giuseppe Valentinit, do të shkruanin: “Padova, qytet i pasur me monumente të shquara të çfarëdo epoke dhe personazhe të famshme në të gjithë hapësirën e dijes, ndoshta nuk e di që i ka dhënë brezave të ardhshëm, në agim të këtij shekulli, një at jezuit me famë qartësisht mbarë-botërore: at Giuseppe Valentini… E që Padova të mos e harrojë e ta nderojë këtë bir të saj, Kolegji Universitar Antonianum i kërkoi Institutit të Glotologjisë në Universitetin e Padovas, nëpërmjet prof. Giovan Battista Pellegrinit, drejtuesit të Seminarit të Filologjisë Ballkanike, të bëhej promotori i një përmbledhje studimesh për nder të tij nga studiues të shquar italianë dhe të huaj. Botimi iu besua Shtëpisë së njohur Botuese për vepra të tilla shkencore, Leo Olschi në Firenze”. Ashtu sic eshte, për ne - brezin e shqiptarëve të lirë - që rrojmë në epokën post-komuniste, zbulimi dhe njohja me veprat e tij, një surprizë madhështore, urojmë që edhe për ju, e për popullin tuaj, ai të jetë një surprizë befasuese dhe e vlerësuar. Ndoshta “Padova e tij”, zë edhe për ju, zoti President, një copëz të caktuar në jetë, kur ju pa të mbaronit liceun “Tit Livi”. Ashtu siç dhe “Napoli juaj”, në po këto vite, pa Valentinin e ri, t’i kërkonte si favor të madhit Benedeto Croce, një leje për studimin në arkivat napoletane, të dokumenteve për historinë e Shqipërisë. Me episode të tillë përkushtimi, madje dhe heroizmi shpirtëror, jeta e Valentinit është e mbushur plot e përplot, pasi ai shpesh, gjer në fund të jetës ndihej shqiptar dhe krenar që thirrej i tillë. Dielli i erudicionit të tij të jashtëzakonshëm dhe zelli i pareshtur, konstant, i një orari pune gati 14 orë në ditë, arritën të ndriçojnë faqe të tëra të errëta të historisë sonë, po nëpërmjet mijëra e mijëra “akteve” e dokumenteve të nxjerra në dritë prej harresës së pluhurit të rafteve të bibliotekave, ato na shfaqin sot një panoramë sa të vërtetë e shkencore, aq edhe prekëse dhe emocionuese nga ana e marrëdhënieve njerëzore të Arbërisë dhe Venedikut e shteteve të tjera italiane gjatë periudhës së shekujve XIV-XV. Po kaq mbresëlënëse janë edhe kërkimet e tij mbi raportin e ngushtë të një serie të tërë Papësh me heroin tonë kombëtar Skënderbeu apo për vendin e rëndësishëm që zë në historinë e kulturës sonë ndikimi i marrëdhënieve romano-papnore. “Selia e shenjtë ka qenë gjithmonë streha juaj iu drejtua Papa Pauli i VI, nje përfaqësie shqiptare ne audience private qe pati për ta me rastin e kremtimeve ndërkombëtare të 500 vjetorit të vdekjes së Skëndërbeut, në prill te vitit 1968. E do të theksonte, se edhe Shqipëria zë një vend parësor në rang botëror për kontributin që i ka dhënë njerëzimit me traditën e saj ekumenike, një aspekt ky i kulturës sonë, që At Valentini, ose Zef Valentini, siç e thërrisnin, ka arritur ta ndriçojë shume qarte me dije e dokumente, për të nënvizuar “Shqipërinë e vogël e të ngucur në kufij, por shpërthyese ne vitalitetin njerëzor, gjithnje e me shume efikase sa me shume e injoruar,aq xheloze ne ruajtjen e identitetit te saj etnik, por njëheresh edhe aq universaliste, kaq fatkeqe, por gjithmonë e ruajtur nga zoti ne vijim te misionit te saj sekret”. “Shqiptarë, duajeni At Valentinin, se ai ju do me gjithë shpirt e zemër.Cmojeni, se ai punon pa prerë, per t’ia bere te ditur botes vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është i juaji, sepse i ka dhene çështjes suaj mendjen dhe shpirtin e vete”, do të këshillonte publikisht Papa gjatë këtyre kremtimeve. Po, kultura dhe populli shqiptar At Valentinin, e ndaluar per mbi 50 vjet me radhe nga sistemi komunist, tash qe po e boton dhe po e njehe e do shume dhe do të dijë ta dojë e ta nderojë përgjithmonë si njeri të jashtëzakonshëm e shkencëtar të madh, por nëpërmjet kësaj letre ndaj jush Zoti President, si përfaqësuesi më i lartë i tij, ne duam t’i dërgojmë mirënjohjen më të thellë dhe dëshirën tonë më të zjarrtë popullit italian, që e nxori nga gjiri i vet këtë personalitet të madh, që ta nderojë e respektojë ashtu siç i takon. Vepra e tij për ne fiton akoma dhe më shumë vlerë, si kulture, histori por sidomos si instrument i dobishëm gjeopolitik, në sfidat e sotme të integrimit dhe ndërveprimit kulturor. Urat e miqësisë dhe komunikimit midis popujve ngrihen e mbahen në këmbë nga njerëzit e tyre të mëdhenj, që i forcojnë dhe lartojnë këto marrëdhënie. E At Giuseppe Zef Valentini është një urë e fortë bashkëveprimi dhe përkushtimi për të dy popujt tanë të lashtë, gjendur përjetësisht bashkë në të dyja anët e Adriatikut.
Tirane 20.08. 2011