“Opozita të bashkëpunojë për reformat integruese, të votojë ligjet në Kuvend”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli rikonfirmon gatishmërinë e mazhorancës për të bashkëpunuar për përmbushjen e aspiratës së integrimit, një aspiratë pa ngjyra partiake
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, ftoi dje deputetët e opozitës që të bashkëpunojnë për reformat në procesin e integrimit dhe të votojnë ligjet në Kuvend. “Unë jam sot këtu, për të ftuar kolegët e mi, deputetë të mazhorancës dhe të opozitës, të punojmë e të votojmë bashkë. Sinqerisht i ftoj të votojmë bashkë. Ne po hyjmë në vitin e tretë të kësaj legjislature. Ne kemi privilegjin dhe mundësinë të bëjmë hapa të tjera drejt BE-së. Integrimi në BE i Shqipërisë nuk është as majtas as djathtas. Integrimi ne BE është objektivi ynë kombëtar. Çdo gjë që i bashkon shqiptarët duhet të na bashkojë edhe ne me votë në Parlament”, theksoi dje Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në një konferencë për shtyp.
Ajo theksoi se këtë sesion Kuvendin e presin shumë reforma dhe mes tyre disa ligje që kërkojnë votat dhe nga opozita. “Së shpejti fillon sesioni i ri parlamentar. Fillon puna për vitin e tretë të kësaj legjislature. Në vitin e parë Kuvendi ka miratuar 241 ligje. Në vitin e dytë kaluam reforma, votuam 233 ligje e marrëveshje që veç të tjerave bënë të mundur lëvizjen e lirë. Këtë sesion na presin shumë reforma të tjera. Mes tyre, na presin disa ligje që kërkojnë votat edhe nga opozita. Disa nga këto ligje janë gati. Mjafton vetëm që të gjithë deputetët të çojnë kartonin jeshil”, vijoi më tej kryeparlamentarja.
Ajo u shpreh për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, për të cilën sipas saj duhet dhe angazhimi i opozitës. “Reforma zgjedhore kërkon më shumë se kaq. Por, në fund të gjitha kërkojnë vullnet të mirë dhe çdo deputet të nderojë betimin që ka bërë. Kuvendi nuk mund të jetë pa fund vetëm vendi i deklaratave, por edhe i punës për të gjithë. Dhe kjo së pari kërkon që të gjithë deputetët të fokusohen në një angazhim konstruktiv, të angazhohen në veprime që çojnë në hapa pozitive drejt BE-së. Parlamenti është institucioni qendror i demokracisë. Parlamenti është institucioni fondamental i shtetit. Aty janë diskutuar e aprovuar të gjitha, ligjet, reformat që kanë ndryshuar vendin, pavarësisht vështirësive”, apeloi Kryeparlamentarja Topalli
Duke vlerësuar integrimin e vendit si objektivin madhor, Topalli ripërsëriti angazhimin e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën. “Deputetët e mazhorancës presin që te punojnë e te votojnë bashke me deputetët e opozitës për reforma të rëndësishme. Çdo gjë që i bashkon shqiptarët duhet të na bashkojë edhe ne me votë në Parlament. Shqipëria është evropiane. Dhe shqiptarët duan të jenë pjesë e BE-së. Të gjithë deputetët duhet të votojnë ligjet që BE-ja i kërkon nga ne shqiptarët. Kur hoqëm vizat mjaftuan vetëm votat e mazhorancës. Sot për stacionet e tjera drejt BE-së duhet edhe vota e opozitës. Axhenda e ardhshme e parlamentit e ka emrin reforma. Ftoj njerëzisht kolegët e opozitës të punojmë për to... Nëse punojmë të gjithë bashkë brenda shtatorit ne mund të bëjmë shumë punë të mira. Ne jemi gra dhe burra të lirë të këtij vendi. Askush nuk mund të akomodohet pa bërë detyrën. Nuk ka asnjë argument për të mos bërë detyrën. Vendi ka nevojë për mbështetjen e opozitës, për votën e opozitës, për 12 rekomandimet, unë dëshiroj te jem optimiste. Mazhoranca është e hapur për të bashkëpunuar. Ne të gjithë jemi me vullnet pozitiv për axhendën tonë. Është axhendë reformash. Është axhendë e shqiptarëve, është axhendë integrimi”, rikonfirmoi në përfundim të deklaratës së saj, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.