Mirëpritet marrëveshja financiare për bankat e Spanjës

Zyrtarët evropianë dhe organizatat ndërkombëtare e kanë mirëpritur pakon e ndihmës së eurozonës për Spanjën, me të cilën do të shpëtohet sistemi bankar në këtë vend, i cili është i rrezikuar.
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe grupi i shtatë vendeve më të industrializuara në botë, G-7, kanë vlerësuar marrëveshjen prej 100 miliardë eurosh si hap para në unifikimin më të madh fiskal në gjithë eurozonën dhe si parandalim i krizës më të gjërë ekonomike.
Ministri i financave i Francës, Pjer Moskovici, që mori pjesë në takimin e jashtëzakonshëm, tha se marrëveshja dërgon “sinjal të fuqishëm të solidaritetit” në 17 vendet e eurozonës.
Ministri i ekonomisë i Spanjës, Luis de Guindos, tha se marrëveshja nuk imponon masa kursimi apo reforma të përgjithshme ekonomike në Spanjë, siç parashikojnë marrëveshjet e tilla për ndihma në Greqi, Irlandë dhe Portugali.