Stefanoviç: Nëse presidenti kryeson ekipin, “de facto” njohim Kosovën

Shefi i ekipit serb në bisedime me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, ka deklaruar se nuk ka asgjë sekrete në marrëveshjet e arritura në Bruksel. Sipas tij dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë por ai duhet të ngritet në një shkallë më të lartë politike.
I pyetur se kush do të kryesojë ekipin serb në dialog, ai ka thënë se kjo i mbetet presidentit Nikoliç që të vendosë. Stefanoviç ka kritikuar deklaratën e presidentit serb, Nikoliçit se ai do të mund të negocionte me Kosovën.
“Nëse ulen të bisedojnë Tomisllav Nikoliç dhe Atifete Jahjaga e cila nuk është presidente për ne, atëherë ne de facto kemi pranuar pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Stefanoviç.
Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç, ka kërkuar të premtën nisjen e dialogut teknik midis Serbisë dhe Kosovës në nivel politik. Nikoliç ka theksuar se nuk mund ta marrë me mend që një zyrtar të sjellë vendime për statusin e Kosovës.
Dialogu duhet të udhëhiqet nga kryeministri, pasi çështja e zgjidhjes së problemeve në Kosovë, sipas tij, nuk është teknike por politike.