E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza që fotografon vetminë

Një grua e veshur me të zeza qëndron me shpinë përpara një dere të hapur. Mbi tavolinën ku është vendosur një hekur rrobash, ca lule të kuqërremta duken mbi një vazo. Një perde e kuqe varet nën ca dritare në një hapësirë të madhe, ku dallohet vetëm një divan bosh… Dhe në dritën që vjen përmes një korridori të ngushtë, mes mureve të lyer me gëlqere të bardhë, nuk ndihet frymë njeriu… E njëjta ndjesi ndodh edhe me lulen me gjethe të gjelbra, që varet në dritaren e tualetit… Në fotografitë e Itsasne Casas nuk ka njeri. Është vetëm ajo pas aparatit fotografik, duke rrekur të ngjizë në foto gjithçka sheh. Hapësirat e mëdha boshe, të bardhën torturuese, ku nuk ndihet as edhe një frymëmarrje. Kjo është forma që Itsasne Casas i jep vetmisë. Abazhurë bri një shtrati bosh, apo ca perde që luhaten nga era. Për gjendjen që ka provokuar sa e sa vargje nga poetët, sa e sa libra për shkrimtarët, Casas, vajza që ende si ka kaluar të 30-at, jep këto imazhe. Nuk ka rëndësi në vetë Itsasne, artistja spanjolle që prej vitesh jeton në Belgjikë është brenda saj e ngjashme me këto fotografi. Për një artiste, i rëndësishëm është këndvështrimi, momenti kur me mendje ajo realizon një fotografi. Mjafton një vështrim për të krijuar ndonjëherë një foto, apo një gjendje që vjen nga brenda teje e reflektohet në ambientin përreth. Por, vetmia e treguar prej Casas është e bukur. Ajo nuk të dhemb, por është një si rrëfim për të ndryshuar diçka. Për ti mbushur këto hapësira ndoshta me më shumë jetë dhe që abazhuri bri shtratit të preket çdo mbrëmje nga një dorë. Ky cikël fotosh me temë vetminë janë fituese të edicionit të parë të konkursit ndërkombëtar të fotografëve të rinj "Sotiri", që u zhvillua gati një javë më parë në qytetin e Korçës. Casas zgjodhi fotot e vetmisë në konkursin që mban emrin e një prej mjeshtërve të fotografisë shqiptare, e bindur se ato foto reflektojnë brenda secilit prej nesh. Se ato përcjellin një ndjenjë, tek e cila fundosemi padashur dhe që me shumë vështirësi dalim prej saj. Artistja belge është një emër tërheqës në artin bashkëkohor. Fotot e saj janë gjithnjë të ndjera. Kjo i bën punët e Casas të jenë gjithnjë të dallueshme mes një morie punësh.

Në edicionin e parë të konkursit për fotografët e rinj, "Sotiri", morën pjesë artistë të ndryshëm nga Austria, Belgjika, Greqia, Holanda, Singapori, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Finlanda, Kosova, Gjeorgjia. Nën temën "Ruaje këtë", ky konkurs ishte një ftesë për një bashkëbisedim mes fakteve dhe historisë. Juria e konkursit ishte e përbërë nga Eva Bruner Szabo, artiste dhe fotografe austriake, Albes Fusha, fotograf, pedagog i fotografisë në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe Gentian Shkurti, artist, asistent-pedagog në atelienë e artit konceptual të Akademisë së Arteve.

Kjo juri vlerësoi artisten belge, Itsasne Casas, për projektin fotografik "Vetmia", një rrugëtim shumë personal imazhesh, që tregojnë për ndjesitë e qëndrimet e artistes, duke dokumentuar hapësira që lidhen ngushtë me eksperiencat e saj jetësore.

Ekspozita e artistëve pjesëmarrës në këtë konkurs në shtator do të hapet në Tiranë, ku do të promovohet dhe katalogu dygjuhësh i edicionit të parë të çmimit "Sotiri".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›