Topalli: “Shqiptarët e kuptojnë më mirë se kushdo vuajtjen nën diktaturë dhe çlirimin prej saj”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon Ahmed Al-Zubair Al-Senussi, anëtar i Këshillit Tranzitor të Libisë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti në një takim zotin Ahmed Al-Zubair Al-Senussi, anëtar i Këshillit Transitor, i njohur si “Mandela” i Libisë, duke vuajtur për 31 vjet si i burgosur politik i regjimit çnjerëzor diktatorial të Gadafit. Trashëgimtar i familjes së Mbretit të vetëm të Libisë, zoti Al-Senussi është një ndër liderët më të hershëm të luftës kundër regjimit të Gadafit, dhe në vitin 2011 Parlamenti Europian i dha çmimin Sakarov për Lirinë e mendimit. Kryetarja e Kuvendit theksoi se ndihet e nderuar që pret në zyrën e saj një hero, historia e të cilit është një model frymëzimi për këdo, sepse, tha ajo, kur luftohet për parimet e lirisë njeriu gjen gjithmonë forcë e kurajo brenda vetes. Më pas zonja kryetare e Kuvendit u shpreh se ardhja e zoti Al-Senussi në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë është një shenjë shumë e bukur për forcimin e bashkëpunimit mes dy popujve të lirë me histori të vështirë. Ndër të tjera zonja Topalli nënvizoi se “i kemi ndjekur me shqetësim dhe ankth ngjarjet në Libi dhe së fundmi e kemi përcjellë me shumë lumturi rrëzimin e regjimit të egër totalitar të Gadafit. Shqiptarët e kuptojnë më mirë se kushdo vuajtjen nën diktaturë dhe çlirimin prej saj dhe urojmë më të mirën për vendin tuaj. Koha e vështirë tha zoti Al-Senussi i sjell më pranë njerëzit dhe ne shpresojmë të kemi një bashkëpunim të ngushtë ekonomik, arsimor e në fusha të tjera me Shqipërinë. Nga ana e tij zoti Al-Senussi theksoi se do të ishte nder dhe kënaqësi një vizitë e Kryetares së Kuvendit në Libi, ftesë të cilën zonja Jozefina Topalli e pranoi me shumë kënaqësi. Kthimi i eshtrave të mbretit Zogu i Parë
...