E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirjeta dhe Neda lënë shtëpinë

Nga Express më 27 mars 2011 në ora 13:10

Ogreni, Marieli, Ermela dhe Ergysi janë katër finalistët e edicionit të katërt të “Big Brother”. Mirjeta dhe Neda lënë shtëpinë me votat e publikut. Fituesi shpallet më 2 prill.

Zgjidhen katër finalistët

Spektakli i mbrëmshëm ka qenë vendimtar për lojën e banorëve në “Big Brother”. Mirjeta është larguar nga shtëpia si e eliminuara e javës, ndërkohë, si pasojë e një eliminimi të dyfishtë, publiku nuk ka dashur të ketë në finale edhe Neda. Tashmë janë katër finalistët që luftojnë për çmimin e madh, i cili do të ndahet në spektaklin e datës 2 prill. Ndërkohë banorët kanë përjetuar shumë surpriza.

Mirjeta: Neda dhe Ogreni janë me dy fytyra

Gjatë gjithë javës, Neda dhe Ogreni janë përfshirë në debate të forta me banorët. Mirjeta ka qenë ajo që gjatë kësaj jave ua ka thënë hapur ato që mendonte. Gjithçka ka marrë shkas nga një klip i spektaklit të kaluar, ku Mirjeta ishte shprehur keq për lidhjen e Nedës dhe Ogrenit. Debati vazhdon sërish në studio, kur të tre komentojnë klipin. Neda thotë se Mirjeta i ka hyrë lojës kokë e këmbë e ndaj ka ngritur zërin këtë javë, ndërsa Ogreni thotë se debatet janë arma e vetme që u kanë mbetur banorëve ndaj tyre. “Unë thashë dhe them ato që mendoj. Neda dhe Ogreni janë persona me dy fytyra. Neda ka thënë gjëra krejt të kundërta në fillim, na ka paragjykuar ne të tjerave dhe tani është krejt e kundërta”, ka thënë Mirjeta. Sipas saj, atë nuk e shqetëson aspak lidhja e Ogrenit dhe Nedës, por thotë se ata duhet t’i pranojnë disa gjëra që kanë thënë në fillim të lojës. “Ogreni gënjen kur thotë se ka ndier që në fillim për Nedën, sepse mua më ka thënë që pëlqente vajza të tjera dhe tani nuk i pranon”. Neda, duke iu përgjigjur Mirjetës se pse nuk merrte pjesë kur vajzat diskutonin për historitë e mëparshme të dashurisë, kanë thënë se “eksperiencat tuaja me të miat kanë qenë vite dritë larg. Unë u lidha me Ogrenin, ndryshe nga sa kisha thënë në fillim, sepse asnjë nuk e parashikon dot të ardhmen. Jam e lumtur që nuk i ndrydha ndjenjat dhe kjo ndodhi edhe më shumë kur mora mbështetjen e familjes. Mirjeta është fiksuar pas nominimit. Unë nuk kam folur për lidhjen e saj me Marielin, por ajo po e bën javën e parafundit thjesht për të mbajtur lojën e grupit”, ka thënë Neda. Mirjeta e kundërshton sërish, ndërkohë që Neda i përgjigjet se Mirjeta në të vërtetë nuk i mendon ato që thotë.

Ermela: E vura në lojë Ogrenin

Klipi i debateve që Neda dhe Ogreni kanë pasur me banorët vazhdon me Ermelën. Ogreni ka debatuar gjatë javës me Ergysin, sepse ai i ka përcjellë disa thashetheme që, sipas tij, Ermela kishte thënë për jetën e Ergysit jashtë. Gjatë spektaklit, Ermela ka thënë se ato fjalë për Ergysin nuk janë të vërteta. Ajo ia tha ato Nedës vetëm për lojë dhe vetëm për të nxjerrë në pah se Neda dhe Ogreni nuk bëjnë gjë tjetër veçse merren me fjalë. “Është lëvizja që unë bëj në këtë shtëpi për të vënë në pah të mirat dhe të këqijat e të tjerëve. Ajo ishte një bisedë që nuk kishte lidhje me realitetin. Neda nis zëdhënës Ogrenin dhe ai del në shesh të burrave me llafe grash”, ka thënë Ermela. Nga studio Blendi ka thënë se banorët kanë zgjedhur shumë vonë të bëjnë debate të forta. Ndërkohë edhe Ergysi ka debatuar shumë fort me Ogrenin dhe Nedën. I pyetur nga Arbana, Ergysi ka thënë se i beson faktit që Ermela e ka bërë për lojë. Por Ogreni i kundërvihet duke i thënë se në këtë mënyrë Ergysi është një person që tregon se lë t’i shkelet integriteti dhe dinjiteti. “Ajo që bëri Ermela ishte e vetmja mënyrë për t’i treguar Nedës dhe Ermelës se me karrocë dore nuk shkohet asgjëkund”, ka thënë Ergysi.

Banorët: Marieli duhet të kishte provuar nominimin

Në gjithë këto debate që janë zhvilluar në shtëpi, Marieli nuk është përfshirë. Kjo gjë i ka bërë përshtypje edhe Mirjetës, e cila disa herë është zemëruar me të për këtë fakt. I pyetur gjatë spektaklit, Marieli ka thënë se ai e ka në karakter që të mos ndërhyjë kur ngrihet zëri e kur dalin fjalë që edhe vetë banorët nuk i mendojnë për njëri-tjetrin. “Nuk më pëlqen të krijoj situata, bëj çmos që t’i shmang”, ka thënë ai. Marieli nuk ka mundur të thotë as se çfarë nuk i pëlqen te banorët brenda shtëpisë kur Arbana ia ka kërkuar këtë. Ndërkohë, banorët e tjerë mendojnë se Marieli duhet ta kishte provuar nominimin. “Rrugëtimi i Marielit ka ardhur deri këtu pa lagur këpucët. Do të isha kurioze ta shikoja si do ishte ai në nominim”, ka thënë Ermela. Po ashtu edhe Neda. “Unë Marielin e vlerësoj, por ai na ka gjykuar ne pa provuar të njëjtën eksperiencë. Nuk e di se si do të reagonte ai në situata të tilla”, ka thënë Neda. Ergysi thotë se Marieli shprehet me gjuhën e trupit dhe jo me fjalë. Mirjeta ka thënë se ajo është munduar t’ia thotë këtë Marielit dhe tregon se banorët e tjerë ia marrin edhe për dobësi. “Është djalë i formuar, unë jam i bindur që ka mendimin e tij për çdo situatë që ndodh këtu, por gjen mënyrën më të shkurtër dhe largohet”, thotë Ogreni.

Neda takon Rudina Xhungën

“Vëllai i Madh” u dha mundësinë banorëve të shkruanin nga një letër për një personazh të famshëm shqiptar. Neda kishte zgjedhur Rudina Xhungën. Ajo i shkruante se ndonëse nuk njihet personalisht me të, e ka takuar shumë pak brenda ambienteve të “Top Channel”, por u dashurua me librin e saj “Preja e një martese të lodhur”. “Kjo ishte arsyeja pse vendosa të shkruaja”, i shkruante Neda duke e komplimentuar edhe për programin e saj “Shqip”. Edhe Rudina i ka kthyer përgjigje Nedës, duke thënë se “sikur ta dish sa mirë u ndjeva kur e lexova letrën. Nuk ka rëndësi nëse më shkrove për të zgjedhur, sepse unë të zgjedh ty pavarësisht për atë që fsheh më shumë se për atë që shpreh. Sa mirë që bërë që më zgjate një dorë se tani jam unë që të zgjas dorën time me gjithë emocionin që më dhe”. Neda ka thënë se ajo i adhuron femrat në karrierë dhe i mbështet ato, sidomos kur gjen karakteristika të vetes. Por surpriza nuk mbaron, sepse Rudina ka hyrë në shtëpinë e “Big Brother”, e ka takuar nga afër Nedën dhe i ka dhuruar një libër.

Katër banorë i shkruajnë Adi Krastës

Kanë qenë jo pak, por katër banorë që letrën e tyre ia kishin shkruar prezantuesit të njohur Adi Krastës. Ermela, Mirjeta, Ogreni dhe Ergysi i kishin shkruar secili ato që mendonin. “I nderuar zoti Krasta! Të admiroj duke iu referuar elegancës në të shprehur dhe batutat sharmoze... Nëse një ditë do të takoja, doja të vishja për dy minuta xhaketën tënde për të provuar se si ndihesh në të”, ka shkruar Ergysi. Ermela i ka shkruar se ai i jep adrenalinë në çdo emision që drejton dhe të njëjtën gjë ka thënë edhe Mirjeta, e cila e falënderon për emocionet që i përcjellë asaj dhe familjes me emisionet e tij. Edhe Ogreni e ka falënderuar Krastën për emocionet që u jep. Ndonëse nuk ka qenë në studio, Adi Krasta u është përgjigjur atyre. Tek Ermela Krasta ka vlerësuar humorin dhe sinqeritetin, Mirjetës i ka shkruar se ai i ka vlerësuar gjithnjë mendjet e hapura të veriorëve dhe aftësitë e tyre për t’u përshtatur në ishullin perandorak të Anglisë. Pas vlerësimeve për Ergysin, në fund i ka shkruar se xhaketën e ka gati. Banorët janë shumë të kënaqur e të emocionuar, ndërsa Arbana njofton se menjëherë sa të mbarojë spektakli, Adi Krasta do t’i presë të katërt në studion “E Diell”.

Mirjeta lë shtëpinë

I pari që i shpëton eliminimit gjatë spektaklit ka qenë Ergysi. pas tij ka shpëtuar Ermela dhe në fund Mirjeta ka ngelur përballë Nedës. Publiku votoi që të ishte Mirjeta ajo që të largohej nga loja. Para se të merrte vendimin, Mirjeta u shpreh se do të donte ta vazhdonte këtë aventurë, sepse do të kishte mundësi të rrinte edhe pak me Marielin dhe se dëshironte të ishte në finale. Blendi në studio ka thënë se Mirjetën e kishte parashikuar të dilte, por ndërkohë që u hap një televotim i dytë, Blendi i ka quajtur fitues pesë banorët e mbetur, sepse kanë qenë në prag të fitores.

Ogreni, telefonatë nga djali i hallës

Si fitues i provës së fundit të javës, Ogreni ka përjetuar një surprizë. Në dhomën e rrëfimit, ai merr një telefonatë nga djali i hallës, Vini, i cili jeton në Montreal. Ai i thotë se e kanë mbështetur vazhdimisht dhe duhet të vazhdojë lojën.

Hamdi Salihi dhe Ervin Bulku hyjnë në shtëpi

Banorët përjetojnë një surprizë të madhe. Në shtëpi hyjnë dy banorët e kombëtares, Hamdi Salihi dhe Ervin Bulku. Në monitor banorët shohin pjesë të rasteve dhe golin me të cilin skuadra kombëtare fitoi dje ndaj Bjellorusisë. Banorët pyesin Salihin dhe Bulkun për pikët e kombëtares dhe për ndeshjet e ardhshme. Në fund ata u dhurojnë banorëve nga një bluzë.

Eliminohet Neda

Pas largimit të Mirjetës, gjatë spektaklit është hapur një televotim për eliminim të dyfishtë. Banorët ndahen nga njëri-tjetri. Marieli shkon në dhomën jeshile, Ogreni në dhomën e rrëfimit, Ermela në dhomën e kuqe, Mirjeta në magazinë, Neda në pishinë dhe Ergysi në dhomën e gjumit. I pyetur se sa krenar ka qenë për “Big Brotherin” e tij, Ogreni ka thënë se gjithçka ia ka vlejtur, edhe me presionin dhe stresin. “Kam qenë e njëjta nga fillimi në fund, ndonëse në forma të ndryshme”, ka thënë Ermela. Neda ka thënë është krenare për çdo gjë në jetën e saj dhe “Big Brother” nuk bën përjashtim. “Është vendi ku kam pasur më shumë hapësirë për të shprehur atë që jam. Do isha krenare po të isha edhe në finale”, ka thënë ajo. “Kam dhënë gjithë zemrën time”, ka thënë Marieli. “Jam jashtëzakonisht krenar, për mënyrën se si shikoj jetën dhe si shikohet e tashmja. Edhe për rebelimin”, ka thënë Ergysi. Pas kësaj Arbana ka lexuar vendimin e publikut. Publiku kishte votuar që Neda të linte menjëherë shtëpinë.

“Elita 5” në “Big Brother”

Në shtëpi dëgjohet një këngë. Në oborrin e shtëpisë hyn grupi “Elita 5”. Banorët gjatë javëve të qëndrimit i kanë kënduar shumë këngët e tyre. Ata argëtohen duke i takuar nga afër e duke bërë karaoke me ta. /gazetashqip/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›