E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirush Kabashi: Pedagogët dyshonin nëse mund të bëhesha aktor

Kur ishte i vogël ngjitej majë një godine në ndërtim nga shihej kinemaja verore. Mbahej me zor, por qëndronte, vetëm e vetëm për të parë një film. Nuk linte rast pa shfrytëzuar për të parë një pjesë teatrale. Atëkohë "Hamletin" e ka parë 15 herë. Ky ka qenë Mirush Kabashi i vogël, i dashuruar pas teatrit. Sot, një 60-vjeçar që vazhdon të jetojë me adhurimin e skenës. Peripeci dhe rastësi ishte rruga e tij e aktrimit. Të dhënat i kishte që në vogëli. Por natyra e ndrojtur, një lloj kompleksiteti e inferioriteti e vuri gjithnjë e në dyshim në sytë e të tjerëve. "Që në shkollën fillore kisha dëshirë për të ndjekur filmat dhe teatrin. Por kam qenë i kompleksuar, me një ndjenjë inferioriteti që nuk më linte të tentoja. Aktivizohesha ndonjëherë në Shtëpinë e Pionierit dhe i shikoja me zili ata që s‘kishin droje", tregon sot ai që ka lënë pas disa karaktere dhe ka përjetësuar të papërsëritshmin Sokrat. Vitet e 7-vjeçares do të ishin një shkëndijë e vogël e shpërfaqjes së dhuntive të tij. Kujton se mësuesi shkodran, Ramazan Kalaci, i cili e kishte debulesë djaloshin e ndrojtur, e aktivizonte në recitimin e fragmenteve letrare. Atëherë Mirush Kabashi jetonte në Durrës. Ndiqte vitin e tretë të shkollës së mesme "Nako Spiro", ku për rastësi (një pjesë e të cilave vendimtare për jetën e tij) do të interpretonte në një konkurs mes shkollave të mesme të qytetit pjesën "Qielli i kuq". I ishte dhënë roli i një kuestori, pas mungesës së maturantit që duhej ta realizonte. Regjisori Gjergj Vlashi, apo edhe disa figura të tjera, filluan të përflasin një talent të mundshëm. Por rrugët e tij ishin pothuajse të mbyllura, jo vetëm për aktrim, por për çdo lloj shkolle të lartë. "Unë isha fëmija i tretë. Dy vëllezërit e mi ishin shkolluar dhe me ligjin e asaj kohe nuk fitoja të drejtë studimi. Për fatin tim, Remzi Tibari, ish-drejtori i gjimnazit ku isha aktivizuar, kur mbarova maturën u caktua shef i seksionit të arsimit. Më tha se duhet të shkoja patjetër të konkurroja për aktor", kujton Kabashi. Por "ëndrra e keqe" nuk kishte mbaruar këtu. Puna më e vështirë mbetej bindja e të atit, një burrë me origjinë gjakovare, i cili as që mund ta mendonte se një prej katër djemve të tij do të bëhej aktor. Kabashi tregon: "Im atë ishte njeri i punës. Kishte mbaruar në Amerikë shkollën për teknik dhe gjykonte se garancia më e madhe për të ardhmen ishte puna konkrete dhe jo arti. Në këto kushte mund të isha i prirur të vazhdoja inxhinierinë elektrike, duke ndjekur gjurmët e tij, fizikën, apo anglishten që ai e adhuronte. Vëllezërit e bindën se nuk kishte rrugë tjetër. Ose do të vazhdoja për aktor, ose do të mbetesha pa shkollë". E quan tolerim të madh nga i ati që e lejoi të futej në konkurs. Fitoi dhe u bë pjesë e një kursi prej 15 vetash. Tashmë e kishte vetë të ardhmen në dorë. Për aq sa atij i takonte. Kabashi kujton se pati fatin që aty të kishte pedagog Pirro Manin. Por, ndonëse vitet kishin kaluar, ende nuk kishte mundur ta mposhtte druajtjen që e karakterizonte prej vogëlisë. "Shkollën e kam mbaruar si një student i mesëm. Jo gjithmonë profesorë të caktuar kanë pasur besim se mund të bëhesha aktor. Disa edhe guxonin t‘i shfaqnin hapur këto ide. Nuk arrita ta thyej kompleksin e inferioritetit. Një pjesë e studentëve vinin nga liceu, ishin të hapur e mua më dukej sikur edhe pafytyrësia quhej pjesë e talentit të tyre", tregon ai. Caktimi në teatrin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit do të shënonte kthesën. Mirush Kabashit iu dha rasti të punonte me aktorë e regjisorë të njohur si: Vangjel Heba, Nikolin Xhoja, Marta Burda, Teodor Tupi, Todi Thanasi, Haxhi Rama, Mario Ashiku etj. "Ajo ishte shkolla e vërtetë për mua", thekson Kabashi, i cili tashmë sheh qartë në rrugën që ka përshkuar. Në këtë rrugë edhe ai do të provonte absurditetin e sistemit ku jetonte shoqëria shqiptare. "Në vitin 1974 u përjashtova nga teatri për hir të biografisë. Daja im ishte pushkatuar në 1946-ën, 2 vjet para lindjes sime. Ishte një djalë 21-vjeçar i shkolluar, që aderonte për demokracinë. As sot nuk ia kam gjetur varrin. Punova 3 vjet në hekurudhën e Durrësit si punëtor i rëndomtë. Gjithë ëndrrat që kisha ndërtuar dukeshin se po më fikeshin aty, mes hekurave. Por jeta ka edhe të papritura të këndshme. U gjend dikush që më kishte parë në skenë, i cili më ndihmoi të dal nga ai absurditet". Mirush Kabashi sot kujtohet për rolet e tij në skenë e film, shumica të etiketuar si karaktere të brishta. Kryesisht në fillimet e tij Mirush Kabashi ishte etiketuar si aktor i humorit. Jo rrallë është aktivizuar në varietenë e Durrësit. Por shprehet se gjinia e tij e preferuar, pavarësisht se është konsumues i humorit, është satira. "Kjo gjini i ka të ndërthurura dramën, komiken dhe tragjiken. Ashtu siç është vetë jeta njerëzore", shprehet Kabashi. "Ylli pa emër", një pjesë satirike rumune, apo "Hija e tjetrit" e Ruzhdi Pulahës, do të ishin disa nga këto "thumbimet" artistike. Prej adhurimit të satirës do të lindte edhe "Sokrati". Në fakt, Kabashi tregon se

"Sokrati" ka qenë një pasion i lindur në Akademinë e Arteve. "Në shkollë bënim edhe të folur skenik. Do të gjenim vargje nga letërsia botërore. Nuk e di se kush ma ka rekomanduar ‘Apologjinë e vërtetë të Sokratit‘ të Varnalesit, por edhe sot i jam mirënjohës. E mora me ambicien për të bërë një pjesë të vogël. Nuk kisha parë asnjëherë më parë se si vihej një monodramë. E dija vetëm teorikisht. M‘u desh kohë ta përshtatja për skenë. Kjo u filmua në televizion në ‘87-ën në emisionin ‘Fjalë dhe nota‘ të Mevlan Shanajt. U habita kur u transmetua. Pata përgëzime të një natyre të veçantë. Nuk më thoshin urime, vetëm më shtrëngonin dorën. Ose më shaka më thoshin: akoma jashtë qenke ti, s‘të paskan futur brenda". Një sekretar partie më bëri një provokim, që më la një javë pa gjumë. Vite më vonë, në ‘95-ën, Robert Ndrenika më solli nga Athina një dhuratë nga një ish i burgosur politik i vitit 1987, në shenjë të optimizmit që u kishte dhënë kjo pjesë", tregon Kabashi. Mendonte se "Sokrati" i tij kishte lindur dhe do të mbetej si një pasion studentor. Por zhgënjimi për demokracinë e premtuar dhe trazirat e mëdha të ‘97-ës e kthyen Sokratin të jepte një mesazh të fortë në këto çaste delikate. Kjo do të ishte edhe ngjitja e parë e vërtetë në Teatrin Kombëtar të Tiranës, aty ku aktorët merrnin notën e vërtetë artistike. "‘Sokratin‘ e kam vënë në maj-qershor të vitit ‘97, kur nuk kishte aktivitet. Atëherë gjeta hapësirë për të dhënë një kontribut në denoncimin e përgjegjësive që kishte politika dhe që përpiqej t‘i manipulonte". "Apologjinë e vërtetë të Sokratit" do ta ngjis në janar të 2009-ës në skenën shqiptare. Për rastësi, por edhe për ironi të fatit, Sokrati do të flasë në një vend ku trazirat e fundit u krahasuan me një ‘97 shqiptare. Por Kabashi nuk heq dorë nga mesazhet. Vetëm pak kohë më parë, ai ngjiti një tjetër monodramë. "Zoti Brahim dhe Lulet e Kuranit", e cila e ka bërë të gjykojë thellë për marrëdhëniet me të rinjtë, si aktor, por edhe si baba. "Më vjen keq që arti nuk po trashëgohet. Sistemi që kaluam kishte shumë të këqija, por atëherë u krijua një shkollë e vërtetë artistike, teatrore, vizive, koreografike etj., mbi bazën e trashëgimisë së të cilës, sot artistët po çajnë dhe po mbrojnë dinjitetin e vendit tonë. Ndërsa sot, niveli pothuajse ka rënë fare. Nuk ka më aq teatro sa ka pasur dhe një pjesë e mirë e aktorëve të rinj pothuajse janë pa perspektivë. Të rinj të talentuar ka plot. Nuk e pranoj që ne jemi brezi i fundit. Por ata nuk kanë më front pune, kanë kujdes jashtëzakonisht minimal nga organet drejtuese, në një kohë që shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë për art", thekson ai. Mirush Kabashi ka vetëm dy vajza. Me të qeshur i thotë së shoqes që ta kishin bërë edhe një djalë. Por shprehet se "janë më se të mjaftueshme". "Nëse flasim për marrëdhënien me adoleshentët, unë i pari ndihem keq si prind. Ne po mësojmë se si duhet bërë prindër, duke e ushtruar këtë dhe jo pak ndjejmë që kemi gabuar në shumë raste. Te ne nuk ka psikologë që të na mësojë kujdesin për grupmosha të ndryshme. Jo rrallëherë e kam ndjerë veten në rolin e pedantit. Nuk e mendoj se kam arsye për t‘u krenuar, përveç dashurisë dhe sakrificës që ato të ecin përpara e të mos u mungojë asgjë. Por kjo nuk është e gjitha. Ka munguar akti i sjelljes, koha që duhet harxhuar me to etj.", thekson ai. Dy vajzat e tij janë tashmë edhe mbi ambicien artistike. I quan motive të jetës. Vajza e vogël duket se ka shfaqje të dhuntisë për aktore. Por, në këtë rast, duket se historia përsëritet. Mirush Kabashi është vendosur pak a shumë në pozitat e të atit të tij. "Për fatin tim të mirë dhe të keq, njëra vajzë ka të dhëna për aktrim. Unë nuk e shikoja perspektivën e saj në skenë dhe më është dashur shumë ta bind për realitetin e të rinjve aktorë sot që të ndjekë një degë tjetër. Por nuk dua t‘ia fashit këtë pasion, i cili në një moment të caktuar mund të marrë jetë. Ia kam lënë asaj për ta vendosur". Përveçse aktor, baba, ai është edhe bashkëshort. E quan vajzë të shoqen e tij, me të cilën ka rreth 16 vjet diferencë. "Është ish-studentja ime. Nuk jam i zhgënjyer me të. Është grua që e do familjen dhe i përkushtohet, më ndjen në punën time. Madje ndonjëherë ajo preokupohet edhe më shumë se unë dhe kjo më qetëson. Kemi 20 vjet martesë dhe sa më tepër kalojnë vitet aq më të afërt e ndjen, jo vetëm si bashkëshorte, si nënë e fëmijëve, por më tepër si shoqe. Jemi në një fazë marrëdhëniesh shumë të bukura", tregon Kabashi. Ai sot është në të 60-at, por nuk i druhet moshës. "Unë jam 60 vjeç dhe mbahem si një 60-vjeçar. Merrem me fizkulturë, akoma bëj 3 kilometra not kur futem në det. Ngandonjëherë e harroj në mënyrë të pandërgjegjshme moshën e i jap vetes ndonjë të drejtë që janë gjëra të ezauruara". Ndërsa në profesion ai mbetet sërish çirak. Gjithnjë ndjen një emocion të parë kur ngjitet në skenë. Frikësohet vetëm nëse nuk e ka më këtë ndjenjë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›