E Diel, 1 Nëntor 2026

Mishi jashtë standardeve, penalizohen 78 thertore

Aksioni në vend nis me Tiranën dhe Durrësin. Në terren, 37 grupe kontrolli.

Masat: Konfiskim malli, gjoba e mbyllje aktiviteti.

Penalizohen 78 subjekte, të cilat tregtonin dhe thernin mish pa kushtet e higjienës sanitare. Aksioni i paralajmëruar nisi dje në të gjithë vendin. Rreth 37 grupe inspektorësh nisën kontrollet  në terren në të gjithë vendin. Task-Forca e ngritur pas aktit normativ për standardet e therjes dhe tregtimit të mishit, kësaj here është mobilizuar me përfaqësues nga ministri dhe institucione të tjera të linjës.
Kontrollet në Tiranë
Në kryeqytet ishin në terren 5 grupe pune, të cilat inspektuan zonën nga Kthesa e Kamzës deri në qendër të saj, aksin Qendër Sauk, aksin Kombinat-Ndroq, rrugën Jordan Misja dhe zonën e Tufinës. Sipas drejtuesve të këtyre grupeve, për disa prej subjekteve u urdhërua mbyllja e aktivitetit, disa u penalizuan, ndërkohë që pati dhe sekuestrim të mishit dhe pajisjeve. Menjëherë pas daljes së aktit normativ janë krijuar grupet e punës dhe është bërë plani për ditën e parë të veprimeve. Në Tiranë janë ngritur 5 grupe pune dhe në ditën e parë u kontrolluan 37 subjekte. Nga këto, në 22 subjekte u la vendim për mbyllje të aktivitetit, në 5 të tjera pati konfiskim të mishit dhe në dy të tjera të sekuestrim i pajisjeve të punës. Janë evidentuar e vendosur edhe penalizime financiare që variojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë, siç dhe përcakton akti normativ. Në total janë vendosur 550 mijë lekë gjoba, tha Iliaz Fejza, përgjegjës i Sektorit për Kontrollin e Produkteve me Origjinë Shtazore në AKU, Tiranë.
Qarku i Durrësit
Ndërkohë, një grup pune i Task-Forcës ka kontrolluar përgjatë aksit kombëtar Fushë-Krujë Thumanë, ku janë lënë procesverbale në rreth 13 vende ku therej dhe tregtohej mish. Në këtë aks rrugor, pothuajse të gjitha subjektet janë gjetur të mbyllura që në orët e para të ditës, por grupi i punës Task-Forcë, në bazë të përcaktimeve të aktit normativ, ka lënë njoftimet për shkeljen e këtyre subjekteve, që është operimi në afërsi të akseve rrugore kombëtare. Sipas prefektit të qarkut të Durrësit, Genci Alizoti, i cili ka drejtuar vetë aksionin, nga 110 thertore dhe subjekte që tregtojnë mish, 35 prej tyre kanë rezultuar se punojnë jashtë çdo lloj kushti higjieno-sanitar dhe ndaj tyre është marrë masa duke bllokuar aktivitetin dhe sekuestruar njëkohësisht mallin. Alizoti është shprehur se toleranca ndaj shkelësve do të jetë zero, ndërsa ka garantuar siguri dhe vazhdimësinë e punës në terren.

Kontrollet
Task-Forca do të ushtrojë kontrolle edhe gjatë javës në vijim, derisa situata e tregtimit të mishit të përmirësohet.  Grupet e punës, të mbështetura edhe nga Policia, do të jenë në terren për të mos toleruar asnjë shkelje të ligjeve. Këto masa nisën të merren pas situatës alarmante në thertoret dhe markatat e tregtimit të mishit në vend. Përballë kësaj situate qeveria u detyrua të miratojë aktin normativ, që detyron një sërë institucionesh të punojnë bashkë për të ushtruar kontrolle dhe të marrin masat ndëshkuese.

Kontrollet dhe penalizimet
Gjithsej

37 grupe kontrolli
5 grupe kontrolli

Tirana:
37 subjekte të kontrolluara
30 subjekte të penalizuara:
22 subjekte vendim për mbyllje të aktivitet
5 subjekte konfiskim të mishit
2 sekuestrim të pajisjeve të punës

Qarku i Durrësit:
Aksi Fushë-Krujë-Thumanë
Gjithsej 110 thertore
35 thertoreve u është bllokuar aktiviteti
13 thertore në rrugë nacionale
Gjobat: 50 mijë deri në 100 mijë lekë
Gjithsej: 550 mijë lekë gjoba

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›