Çelet viti shkollor për 642 mijë nxënës, 1500 fëmijë emigrantësh

Ministri i Arsimit, Tafaj
Tafaj: Do reformojmë kurrikulat në arsimin parauniversitar.
Rreth 642 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nisin sot vitin e ri shkollor. Për herë të parë ulen në bankat e shkollës 36 mijë vogëlushë që nisin klasën e parë. Ndryshe nga vitet e tjera, janë rreth 1500 fëmijë të emigrantëve të rikthyer, të cilët do të nisin arsimin në vend. Nga të dhënat e Ministrisë së Arsimit, pjesa më e madhe tyre vijnë nga Greqia. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë përshëndetjes së tij dje për nxënësit dhe mësuesit, renditi disa nga pritshmëritë për vitin e ri shkollor. Në këtë vit shkollor, reforma në përmbajtjen e programeve, planeve mësimore dhe gjithë kurrikulës së arsimit 9-vjeçar do të jetë një diskutim i madh që do të shtrihet në çdo shkollë e ku do të marrin pjesë gjerësisht mësues, nxënës e prindër, tha Tafaj. Sipas tij, në thelb të kurrikulës së arsimit bazë qëndrojnë kompetencat themelore të të nxënit, ndër të cilat zotërimi në nivel të lartë i gjuhës shqipe mbetet kryesori. Ministri theksoi se e gjithë paketa e re kurrikulare do të fillojë të zbatohet në vitin shkollor 2013-2014.
Bashkia, dhurata për 5000 nxënësit e klasave të para
Rreth 5000 fëmijë të klasave të parë do të gjejnë sot në bankat e tyre një dhuratë simbolike me mjetet mësimore nga kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, të shoqëruara me një kartolinë urimi. Këtë mënyrë ka zgjedhur kryebashkiaku për tiu uruar nisjen e vitit të ri shkollor. Sot, ai bashkë me nënkryetarët e Bashkisë do të jenë në ambientet e shkollave të ndryshme për të uruar nga afër nxënësit.
Viti i ri shkollor, Policia masa në shkolla
TIRANE – Policia e kryeqytetit ka hartuar një plan të detajuar masash për nisjen e vitit të ri shkollor 2012-2013. Sot, nga ora 06:30, shërbimet e Policisë Rrugore, të Rendit dhe të Policisë Bashkiake do të pozicionohen jo vetëm në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit, por edhe në kryqëzimet e rrugëve dytësore dhe atyre pranë zonave të shkollave 9-vjeçare e të mesme për të mbajtur nën kontroll trafikun e mjeteve, për shkak të ngarkesës që pritet të sjellë dita e parë e shkollës. Shërbime të patrullave të përgjithshme do të patrullojnë në oraret e nisjes së mësimit dhe pushimeve pranë shkollave, ndërsa nga dje, agjentët e Antidrogës kanë nisur të monitorojnë zonat dhe lokalet pranë shkollave për tregtimin e alkoolit e duhanit, apo dhe për aktivitetet e shpërndarjes së drogave. Të premten, drejtuesit e Policisë së Tiranës, prefekti Keltis Kruja dhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore zhvilluan një takim për të analizuar dhe përmirësuar masat për sigurimin e rendit dhe qetësisë në shkolla, parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale ndaj nxënësve dhe personelit mësimdhënës, si dhe krijimin e një dimensioni të ri në drejtim të marrëdhënieve polici-komunitet.