E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni Venecia rekomandime per kodin elektoral

Komisioni i Venecias mbërrin në Tiranë për të rekomanduar forcat politike për rindërtimin e legjislacionit të ri zgjedhor. Sekretari i Komisionit të Venecias, Thomas Markert i shoqëruar nga një ekip nga delegacioni i OSBE dhe ODIHR ka zhvilluar sot takime të nivelit të lartë me krerët e forcave politike dhe institucioneve shtetërore. 

Gjatë takimit me shefin e diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto, sekretari i Komisionit të Venecias  bëri me dije se qëllimi i vizitës në Tiranë është hartimi i një opinioni të përbashkët për përmirësimet që mund ti bëhen ligjit elektoral dhe praktikave zgjedhore.

"Komisioni i Venecias është këtu sepse kemi marrë një detyrë nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës për të parë cfarë përmirësimesh mund të bëhen në kodin zgjedhor në të ardhmen për të shmangur krizat politike. Ne do të kemi shumë takime. Opinioni formal i Venecias do të jepet më 16-17 dhjetor dhe ne do të ftojmë përfaqësuesit e Shqipërisë në këtë sesion. Por është e rëndësishme për të pasur këtë dialog për të vazhduar më pas", tha Thomas Markert, sekretar i Komisionit të venecias.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto theksoi se qeveria mbetet e hapur për të filluar punën për reformën zgjedhore. "Në mënyrë specifike kemi folur për të ardhmen, për bashkëpunimit sa i takon zbatimit të rekomandimeve të raporteve të ODIHR për zgjedhjet. Këto rekomandime do të jenë pika jonë e referencës për reformën zgjedhore në të ardhmen", vijoi Haxhinasto.

Sekretari i Komisionit të Venecias do të japë një deklaratë për shtyp lidhur me të gjithë axhendën e vizitës së tij në Tiranë të martën në orën 12.15.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›