E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni hakmarrja

Sezonin e kaluar humbi një penallti kundër Chelseat që u përcoll me eliminimin e Barcelonës nga Liga e Kampionëve. Kurse u mund nga Real Madridi në garë për titull në La Liga. Këtë edicion, Lionel Messi synon të kompensojë dështimet e fundit duke rrëmbyer të gjithë trofetë e rëndësishëm.

Lionel Messi është në mision. Ylli argjentinas dëshiron të kompensojë dështimin e sezonit të kaluar në Ligën e Kampionëve dhe La Liga duke triumfuar gjatë këtij edicioni. Ai po ashtu tregoi se trajneri Tito Vilanova është i ndryshëm nga paraardhësi i tij, Pep Guardiola.

Messi humbi një penallti në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Nou Camp, kundër Chelseat, ku londinezët barazuan 2-2 dhe u kualifikuan për në finale me Bayern Munichun. Ky dëshpërim, i kombinuar me triumfin e Real Madridit në La Liga i ka lënë një shije të hidhur Messit.

“Sigurisht se do të kisha pasur dëshirë të fitonim Ligën e Kampionëve, si gjithmonë, t’i fitojmë të gjitha”, deklaroi ai për TVE. “Barra mbetet për ne pasi nuk fituam ndaj Chelseat për t’u kualifikuar në finale, e sidomos për mua që nuk shënova nga penalltia. Por, sezoni i ri sjell motive të reja dhe dëshira për të triumfuar sërish është më e madhe se kurrë”, u shpreh ai. Messi tregoi se ishte ndjerë ngjashëm edhe para ardhjes së Guardiolës në klub më 2008.

“Para se të vinte Guardiola, ne kishim kaluar një periudhë pa fituar diçka, mendoj për dy vite. Me ardhjen e tij ndryshoi gjithçka, në mentalitet, në mënyrën e punës dhe shumëçka tjetër. Vilanova është personalitet i ndryshëm, por filozofia mbetet e njëjtë, të njëjtit njerëz punojnë me të. Edhe ai e ka mënyrën e tij se si i sheh gjërat, komunikimin. Dhe po, janë të ndryshëm”, vazhdoi tri herë fituesi i Topit të Artë.

Messi ka shpërthyer me formë të mirë në sezonin e ri në La Ligë duke realizuar katër gola pas tri xhirosh.

Ai e përcolli formën e mirë edhe në detyrë ndërkombëtare, ku shënoi në fitoren e Argjentinës ndaj Paraguajt 3-1 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror 2014. “Është ndjenjë e bukur, kur tifozët ju japin përkrahje kaq të madhe. E njëjta ndodhi edhe në Copa America, në Cordoba dhe në Buenos Aires”, theksoi Messi, i cili paralajmëroi se skuadra nuk do ta ketë lehtë edhe në duelin e ardhshëm kundër Perusë të martën.

“Kjo fitore është e rëndësishme por tani shkojmë në Peru për t’u takuar me një skuadër të vështirë. Është mirë që kryesojmë grupin, me rëndësi është të shtojmë vetëbesimin”, përfundoi Messi, i cili tani ka realizuar nëntë gola në pesë paraqitje ndërkombëtare gjatë vitit 2012, të gjitha duele këto, ku Argjentina doli fituese.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›