E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humb gjyqin, rreh murgeshën që dëshmoi kundër tij

 

BERAT- Një person i cili ka humbur gjyqin e pronës me të vëllanë e tij ka rrahur pothuajse pa asnjë shkak një murgeshë në qytetin e Beratit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme rreth orës 11.30 në dyert e gjykatës së qytetit sapo ishte dhënë vendimi për procesin. Ai është arrestuar menjëherë nga policia dhe pak orë më pas ka pranuar gjithçka që ka kryer. Në deklarimet e tij Skënder Rakipi ka pohuar se është penduar që ka sulmuar murgeshën dhe se donte të rrihte vëllanë e tij.

Në paraditen e djeshme, rreth orës 11.30 minuta, një ngjarje e rëndë ka tmerruar qytetarët e shumtë beratas që ndodheshin pranë gjykatës së qytetit. Dëshmitarët okularë kanë pohuar se kanë parë një person të dilte me shpejtësi nga mjediset e gjykatës e të ndiqte me vrap një murgeshë. Sapo kjo e fundit ka dashur të futet në makinën me të cilën kishte ardhur, ai e ka arritur dhe ka nisur ta godasë disa herë në kokë dhe në trup. Vetëm ndërhyrja e menjëhershme e policit të gjykatës ka bërë që “dhunuesi” të ndalojë. Atij i janë vënë prangat dhe është dërguar me shpejtësi në komisariat ku është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur. Burimet zyrtare të policisë pohuan se i arrestuari është Skënder Rakipi, 47-vjeç. Sipas tyre, paraditen e djeshme ai ka qenë i pranishëm në seancën e fundit gjyqësore të një procesi që kishte me të vëllanë e tij për pronën. Disa vjet më parë, vëllezërit Rakipi kanë shitur një pronë të cilën e kanë blerë Murgeshat, që në këto ambiente ndihmojnë fëmijët jetimë të qytetit. Edhe pse murgeshat kanë derdhur paratë sipas kontratës së paracaktuar, ajo nuk është shënuar në zyrën e regjistrimit të pasurisë. Pak kohë më parë, vëllezërit e tjerë janë kthyer nga emigrimi dhe kanë mësuar shitjen e pronës. Ata kanë nisur procesin në gjykatë me vëllanë e tyre. Dje paradite, të dyja palët kanë qenë në sallën e gjyqit ku janë njohur edhe me vendimin kundra tyre. Pas seancës, Skënder Rakipi ka rendur drejt murgeshës, e cila kishte dëshmuar në gjykatë se kishte blerë pronën nga vëllai i tij dhe e ka dhunuar atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›