Pronarët harrojnë 600 makina të bllokuara
SHKODËR- Rreth 600 automjete ndodhen të bllokuara në drejtorinë e policisë së qarkut Shkodër, duke zënë sipërfaqe të konsiderueshme të ambienteve të jashtme të kësaj drejtorie. Janë automjete të bllokuara nga policia për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, automjete të braktisura, automjete të bllokuara pasi janë përdorur për vepra penale dhe në këtë rast për to shprehet gjykata, apo automjete me targa false. Burime të policisë sqarojnë se për këto automjete janë ngritur komisionet e vlerësimit që do shoqërohen dhe me procedurat e tjera të parashikuara në ligj. Për ato raste kur njihet pronari i mjetit, atij i lihet një afati 5 ditor për të paguar detyrimin që ka për masën administrative të marrë si dhe tarifën ditore të parkimittë mjetit në pikën e bllokimit. Këto kushte bëjnë që shpesh herë pronarët e mjeteve të bllokuara t'i lënë ata në pikën e bllokimit dhe të mos i kërkojnë më. Kjo sepse për mjetet e vjetra vlera e gjobës dhe tarifa e parkingut për një kohë të gjatë, shpesh herë, arrin vlerën reale të vetë automjetit të bllokuar. Një pjesë e këtyre mjeteve kanë me vite që rrinë në natyrë duke pësuar edhe dëmtime, fakt që ka shtyrë pronarët të heqin dorë, kurse të tjera kanë pësuar dëmtime të vogla gjatë transportit apo edhe nga mungesa e kujdesit në ruajtjen në pikat e bllokimit.