Misioni i Vezhgimit te Zgjedhjeve te OSBEODIHR vlereson procesin zgjedhor

Kryeministri Berisha është njohur sot me vlerësimet e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 23 qershorit.
Kështu, në takimin që zhvilloi me shefen e këtij misioni, Conny McCormack dhe bashkëpunëtorët e saj, në kuadër të mbylljes së Misionit të ODIHR, kreu i qeverisë shprehu falënderime për punën e shkëlqyer dhe profesionale që misioni i ODIHR bëri, duke theksuar se vëzhgimi i zgjedhjeve është një element themelor në garantimin e transparencës dhe të besueshmërisë së procesit zgjedhor.
Kryeministri e çmoi procesin zgjedhor me standarte të larta dhe të civilizuar, si dhe vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në votim. Kryeministri Berisha theksoi se numri i vogël i ankesave, i cili i dedikohet një procesi numërimi jashtëzakonisht transparent dhe të rregullt, është tregues për cilësinë e lartë të këtyre zgjedhjeve.
Nga ana e saj, zonja McCormack shprehu falënderimet në emër të saj dhe të misionit të ODIHR-it për mikpritjen që Kryeministri Berisha në veçanti dhe institucionet shqiptare në përgjithësi i ofruan misionit të ODIHR gjatë gjithë këtyre javëve të misionit të vëzhgimit. Zonja McCormack nënvizoi vullnetin dhe gatishmërinë e çdo aktori për bashkëpunim gjatë procesit zgjedhor, si dhe vlerësoi lart klimën e shkëlqyer në të cilën misioni operoi.
Shefja e misionit të ODIHR, znj. Conny McCormack vlerësoi pozitivisht organizimin e ditës së votimit, duke theksuar se zhdukja e radhëve në votim, si pasojë e uljes së numrit të zgjedhësve për qendër votimi, ishte një përmirësim i dukshëm. Ajo u shpreh se procesi i numërimit shënoi gjithashtu përmirësim. Zonja McCormack theksoi se është i rëndësishëm fakti që ky proces tregoi pjekurinë e demokracisë në Shqipëri.
Në përfundim të takimit të dy bashkëbiseduesit nënvizuan vullnetin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen.