Misioni i pamundur i Bruce JacksonNga Mero Baze, 13 shkurt 2004Shënim i autorit: Ky editorial është botuar në gazetën “TemA” në shkurt të vitit 2004, kur Bruce Jackson erdhi për të shuar lëvizjen “Nano ik!”. Bruce Jackson ka folur sërish dje. Ka bërë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Misioni i pamundur i Bruce JacksonNga Mero Baze, 13 shkurt 2004Shënim i autorit: Ky editorial është botuar në gazetën “TemA” në shkurt të vitit 2004, kur Bruce Jackson erdhi për të shuar lëvizjen “Nano ik!”. Bruce Jackson ka folur sërish dje. Ka bërë të njëjtën gjë si vite më parë. Mbron qeverinë që e paguan si lobist dhe sulmon opozitën. Besojini, po deshët.
Bruce Jackson është një amerikan që mbështet Fatos Nanon. Kjo është merita më e vogël e tij. Merita e tij e madhe qëndron te fakti se ai është një amerikan i suksesshëm. Ai drejton Projektin për Demokracitë në Tranzicion, dhe është i ngarkuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare kundrejt një honorari për të bërë lobing për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në misionin e tij disaditor në Shqipëri, Jackson ka takuar përfaqësues të partive politike, përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë dhe diplomatë, në përpjekje për të kuptuar se si mund të dilet nga spiralja e krizës ku po hyn Shqipëria, por pa e fshehur objektivin për mbijetesën e qeverisë. Pak a shumë këtë mesazh mora dhe unë me disa kolegë të mi, që drejtojnë katër redaksi të shtypit në Tiranë, jo aq dashamirëse me Fatos Nanon, gjatë një takimi që patëm me të në ambasadën amerikane në Tiranë. Zoti Jackson kishte pak a shumë shqetësimin se kriza, të cilën po provokojnë protestat e opozitës në Tiranë, do të prishë imazhin e Shqipërisë, do të largojë vëmendjen perëndimore ndaj saj dhe mbi të gjitha do t’i djegë Shqipërisë shanset për të përfituar ndihma ekonomike. Nën këtë arsyetim, ai u shpreh qartë kundër protestave të opozitës, duke i konsideruar ato të pamotivuara. Ai e vizatoi situatën e brendshme si të dominuar nga konfliktet, me një diasporë që flet kundër qeverisë së saj, dhe theksoi se deri në zgjedhjet e 2005 duhet që stabiliteti të sigurohet përmes pushimit të veprimeve politike antiqeveritare. Këmbëngulja e vetme e zotit Bruce Jackson ishte që ato për të cilat ne bisedonim të bëheshin publike.
Dhe aty për aty vendosa që ato që mendon me sinqeritet ose jo zoti Bruce Jackson duhen bërë publike. Me një stil që të kujtonte interpretët e spoteve elektorale, ai e tha “se për Shqipërinë për vite të tëra gota ka qenë gjysmë e zbrazur”, çka nënkupton se, nëse ne vendosim të jemi një vend stabël së paku këto gjashtë muaj, gota do të jetë gjysmë e mbushur. Dhe unë po filloj të mendoj kështu. Megjithëse është një ushtrim i vështirë, po provoj t’u them lexuesve të mi “fjalitë e duhura”. Ato janë pak a shumë këto: “Qeveria shqiptare ka bërë hapa përpara në reformat për integrimin e vendit në rrjedhat euroatlantike. Stabiliteti makroekonomik i vendit është ruajtur dhe indeksi i inflacionit është në kuota normale. Privatizimi ka bërë hapa të mëdha përpara dhe ekonomia ka një rritje të ndjeshme. Zgjedhjet kanë shënuar një hap drejt standardeve demokratike.... ose, siç i ka quajtur kolegu ynë, janë “election amerikana” ... Siç e shikoni, ua thashë. Besojini, po deshët!