Si u vodhën votat e LSINga Faktori PlusLëvizja Socialiste për Integrim është një nga subjektet politike që besohet se mund të jetë persekutuar nga numërimi i votave. Duke mos pasur të drejtën e një komisioneri, kjo parti, e cila është forca e tretë p
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Si u vodhën votat e LSINga Faktori PlusLëvizja Socialiste për Integrim është një nga subjektet politike që besohet se mund të jetë persekutuar nga numërimi i votave. Duke mos pasur të drejtën e një komisioneri, kjo parti, e cila është forca e tretë politike në vend, mendohet se nuk ka rezultatin real për të cilin mund të kenë votuar shqiptarët.
Nga hetimi i “Faktor Plus” në qendrën 255 në Shkodër, LSI ka marrë 26 vota dhe për të janë numëruar 16 vota. Në disa qendra të tjera rezultati është shtuar me një ose dy vota.
Nëse shkohet te një mesatare e përgjithshme, i bie që kësaj partie t’i jenë hequr nga 5 deri në 8 vota për qendër votimi, çka në një qark si Shkodra mund të rezultojë në rreth 2000 vota të munguara.
Vetë LSI e ka pasur objekt të debatit të saj politik dhe disa ditë pas zgjedhjeve çështjen e vjedhjes së votave.
Një ditë pas zgjedhjeve, më 29 qershor, kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, doli para gazetarëve për të denoncuar kryeministrin, Sali Berisha, si autor të shkatërrimit të procesit të numërimit të votave. Ai përmendi pikërisht Shkodrën, periferinë e Tiranës dhe Beratin si zona problematike.
Në një lidhje direkte me studion e Vizion Plus në mbrëmje, Meta e përsëriti këtë qëndrim.
Ai mblodhi kryesinë e partisë dhe vendosi të bëjë një raport denoncues për ndërkombëtarët.
Paralelisht me ankesat ndaj ndërkombëtarëve, Meta vendosi kontakte joformale me drejtues të fushatës së Partisë Socialiste në Tiranë, dhe i kërkoi Partisë Socialiste ndihmë për të kaluar pragun e votave në Tiranë. Si me magji, brenda pasdites së të hënës, në një shkollë në dy qendra numërimi në Tiranë, socialistët arritën të shtonin rreth 500 vota për LSI dhe në mbrëmje Meta u konfirmua deputet.
Ky veprim, i cili u bë pas ndërmjetësimesh të njerëzve të afërt me Edi Ramën, në të vërtetë tregon se procesi ishte i prekshëm dhe se vota mund të shtoheshin pa ndonjë problem të madh, si nga PS, ashtu dhe nga PD.
Këtë e konfirmon më së miri një intervistë e Dritan Priftit pas zgjedhjeve, i cili dëshmoi se ishte i rrezikuar të mos fitonte në Fier.
Të martën, më 30 qershor, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, po në Vizion Plus përsëriti shqetësimin e partisë së tij për vjedhjet të votave.
Paralelisht me LSI, disa zëra ndërkombëtarë po shprehnin shqetësimin për parregullsi në procesin e numërimit. Kështu, më 1 korrik zëdhënësi i ODIHR tha se standardet ndërkombëtare u arritën pjesërisht, ndërkohë që presidenca suedeze e BE shprehu shqetësimin për problemet në procesin e numërimit.
Më 2 korrik sërish pati një deklaratë të Petrit Vasilit, i cili kërkonte të shmangej procesi i vjedhjes së votave të LSI.
Më 3 Korrik Berisha vendos urat e para të kontaktit me Ilir Metën dhe më 4 korrik i bëri thirrje publike të hyjnë në bashkëqeverisje.
Meta iu përgjigj brenda orës dhe pas kësaj mbaroi dhe historia e manipulimit të votave.
Ilir Meta nuk e përsëriti më këtë kërkesë. Vetë Berisha deklaroi se LSI ishte një parti e persekutuar prej Kodit.
Tashmë pyetja që lind është e thjeshtë: Nëse Berisha dhe Meta vlerësojnë më shumë standardet se rezultatin, atëherë ata duhet të provojnë, nëse i janë hequr apo i janë shtuar vota LSI në kutitë e votimit.
Kjo është një provë që do na tregojë të gjithëve ku bazohet aleanca mes dy partive që formojnë sot shumicën parlamentare.
Editorial
A i janë vjedhur vërtet votat LSI?
Nëse Ilir Meta do të besonte për një moment kryeministrin Berisha se ai vlerëson më shumë standardet sesa rezultatin në një proces zgjedhor, atëherë ai do të ishte në krye të atyre që po kërkojnë rihapjen e kutive dhe verifikimin e krimit të mundshëm zgjedhor. Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë deklarata të forta dhe ka pranuar publikisht pas 28 qershorit se Sali Berisha po fuste duart në kutitë e votimit dhe po manipulonte votat. Këto deklarata erdhën nga drejtues të lartë të LSI, tani në qeveri, Ilir Meta dhe Petrit Vasili. Një tjetër ministër i kësaj qeverie ka provuar se Berisha komandonte votat, kur ka shpjeguar publikisht se si PD i ka dhënë votat në Fier. Të gjitha këto dëshmojnë se procesi i numërimit u komandua politikisht dhe se rezultati nuk është real. Për më tepër në një proces ku fituesi nga humbësi ndahen nga dy mandate, dhe ku votat popullore janë në shumicë për atë që është shpallur humbës, procesi bëhet shumë më delikat. Heshtja e LSI për rinumërimin e votave është një tregues i cilësisë së keqe të zgjedhjeve, pasi ajo duke qenë një parti e penalizuar, por e shpërblyer me pushtet, po bëhet dëshmitare e blerë e këtyre zgjedhjeve. LSI, pavarësisht se është pjesë e qeverisë, duhet të ri-kërkonte hetimin e zgjedhjeve për shumë arsye. Arsyeja e parë, nëse besojmë vetë LSI, është se ajo është parti që i janë vjedhur votat. Nëse i vjedh votat, rëndësia e saj mund të rritet pas rinumërimit dhe ajo mund të qëndrojë sërish në koalicion me Berishën, por me më shumë dinjitet. Së dyti, ajo duhet të kërkojë rihapjen e kutive dhe për të dëshmuar se beteja e saj ka qenë morale, dhe se ajo është vjedhur nga dy partitë e mëdha. Por mbi të gjitha LSI duhet të kërkojë rinumërim votash për të respektuar qëndrimet e saj publike të pas 28 qershorit, ku katër ditët e para ka qenë denoncuesja më e madhe e procesit të manipulimit të zgjedhjeve, sipas saj. Nëse kjo parti nuk respekton historinë saj dhe faktet që ka pretenduar publikisht, atëherë ajo i vë një pikëpyetje të madhe së ardhmes së saj politike, pasi dëshmon se nuk ka pasur të drejtë as para zgjedhjeve, kur ankohej për Ramën dhe Berishën dhe as pas zgjedhjeve, kur thoshte se Berisha po i vidhte zgjedhjet. Nga ana tjetër LSI ka dhe një detyrim ndaj opinionit publik dhe qindra intelektualëve dhe njerëzve nga shoqëria civile që mbështesin kauzën e saj si e persekutuar nga Kodi Elektoral. Dhjetëra, qindra intelektualë të fushave të ndryshme, përfshi socialistë dhe demokratë, të majtë dhe të djathtë, mbështetën kërkesën e saj për barazi në zgjedhje dhe standarde të larta, pas garantimit të një Kodi Zgjedhor të dyshimtë. LSI po i tradhton e para këta njerëz që e mbështetën publikisht duke mos respektuar solidaritetin e tyre në ditët e vështira për të. Kjo do të zvogëlojë shumë profilin politik të kësaj partie, pasi po provon se qëllimi i saj nuk kanë qenë standardet, as zgjedhjet e lira, por marrja e një cope nga pushteti që do të vinte, i kujtdo që të ishte ai.
“Berisha, mos e prek votën”
Nga Ilir Meta
28.6.2009
Ne kemi një numër të gjerë rastesh, kur në mënyrë të qëllimshme, në kundërshtim me Kodin dhe ligjin, vëzhguesit tanë janë penguar dhe nxjerrë jashtë nga qendrat e votimit dhe njëkohësisht kemi shumë raste, ku atyre, në kundërshtim me Kodin, nuk u është dhënë dokumenti i procesverbaleve. Duke u nisur nga këto raste, të cilat janë gjerësisht të përhapura, që nga Vlora, Elbasani, Shkodra, Tirana, sidomos në disa zona periferike, Kavaja, e kështu me radhë, për të cilat ne kemi informuar edhe vëzhguesit e misionit të OSBE/ODHIR, kemi informuar njëkohësisht edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, unë dua t’i bëj një thirrje Sali Berishës, që mos të masturbohet me Gani Bobin e tij dhe të mos guxojë të prekë edhe një votë të vetme të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të çdo qytetari shqiptar. Zgjedhjet, deri në përfundimin e mbylljes së kutive kanë shkuar mirë, por, në rast se një votë do të preket, unë sot do të jem përpara Sali Berishës me mijëra qytetarë shqiptarë. Gani Bobin e Sali Berishës nuk e llogarit më asnjë qytetar shqiptar. Ajo është një kompani e shitur, pikërisht për të përgatitur një manipulim të rezultateve të zgjedhjeve. I bëj thirrje Partisë Socialiste, që të marrë masat edhe ajo nga ana e saj dhe gjithë forcat e tjera të opozitës që të mbrojnë edhe një votë të vetme, pasi Sali Berisha nuk është fituesi i këtyre zgjedhjeve. Ai thjesht po përpiqet që me ndihmën e errësirës të ndikojë në rezultatin e votimeve, në mënyrë që ai të vjedhë një mazhorancë të pamerituar. Ne i kemi informuar faktorët ndërkombëtarë, po vazhdojmë punën tonë, i kemi të faktuara, të dokumentuara të gjitha këto raste, dhe besoj se Berisha e kupton shumë mirë mesazhin tim, pasi ky është një mesazh që kërkon të ruajë integritetin e këtyre zgjedhjeve.