Suedia: Zgjedhjet treguan se rruga e anëtarësimit në BE do jetë e vështirëNga Tema Një seancë dëgjimore e Komisionit amerikan të Helsinkit, një strukturë e rëndësishme e Kongresit, nxori në pah problemet që u shfaqën gjatë zgjedhjeve parlam
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Suedia: Zgjedhjet treguan se rruga e anëtarësimit në BE do jetë e vështirëNga TemaNjë seancë dëgjimore e Komisionit amerikan të Helsinkit, një strukturë e rëndësishme e Kongresit, nxori në pah problemet që u shfaqën gjatë zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.
Zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stuart Johns, i ftuar të dëshmojë në këtë seancë, tha se zgjedhjet shënuan progres të prekshëm, por nuk përmbushën potencialin e Shqipërisë për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri treguan progres të prekshëm në lidhje me zgjedhjet e mëparshme, përfshi këtu përmirësimet në regjistrin e votuesve dhe identifikimin, si dhe kuadrin ligjor. ODIHR gjykoi se ato plotësuan shumicën e angazhimeve të OSBE, por nuk arritën të përmbushin potencialin e Shqipërisë për standarde më të larta për zgjedhje demokratike”, - tha Johns.
Më i prerë në fjalën e tij ka qenë përfaqësuesi i Suedisë, vendit që mban presidencën e Bashkimit Evropian.
Bjorn Lyrvall, Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Politike në Ministrinë e Jashtme të Suedisë, tha se në procesin e numërimit pati ndërhyrje politike dhe kjo tregon se rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE është shumë e vështirë. Zyrtari suedez tha gjithashtu se vendi duhet të bëjë më shumë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Shqipëria ka lëvizur gradualisht drejt integrimit evropian, një proces që ka njohur vrull gjatë viteve të fundit. Gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të BE, që do të zhvillohet së shpejti, ne shpresojmë të arrijmë një marrëveshje për të dërguar përpara te Komisioni për vlerësim aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Megjithatë, siç treguan zgjedhjet e qershorit, rruga drejt anëtarësimit në BE nuk do të jetë e lehtë.
Zgjedhjet, për fat të keq, u karakterizuan nga ndërhyrje politike, sidomos në procesin pas votimeve dhe kjo është theksuar dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Përveç kësaj, duhen më shumë përpjekje për të plotësuar standardet demokratike, Shqipëria duhet të forcojë administratën publike, të reformojë gjyqësorin dhe të luftojë në mënyrë më efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin”, - tha Lyrvall.
Ndërsa një nga bashkëdrejtuesit e këtij komisioni, kongresmeni Alcee Hastings, duke përmendur dashurinë e shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara, tha se është e nevojshme që liderët e këtij vendi t’i trajtojnë qytetarët me dinjitet.
“Në Shqipëri, zoti kryetar, që të jem i sinqertë, kam parë më shumë flamuj amerikanë sesa kemi këtu më 4 korrik, dhe kjo ishte shumë interesante. Nuk dija shumë për Shqipërinë - kam qenë në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci shumë shpesh, por nuk kam qenë atje dhe duhet të them se si qytetarë të OSBE kemi marrë angazhime që të respektojmë të drejtat dhe dinjitetin e tyre - ata duhet të trajtohen gjithashtu në këtë mënyrë nga drejtuesit e tyre”, - tha Hastings.
Komisioni amerikan i Helsinkit mbajti një seancë dëgjimore edhe përpara zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri, ku u ngrit shqetësimi në lidhje me problemet parazgjedhore.