“Misioni i tij fisnik bën sot krenar çdo shqiptar”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vizitë në familjen e komandos Aleksandër Peci
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi dje një vizitë në familjen e Nëntetar Aleksandër Pecit, i cili u plagos në krye të detyrës, gjatë kryerjes së misionit në Kandahar, më 20 shkurt të këtij viti. Kryeparlamentarja Topalli duke shprehur urimet më të mira për kthimin në atdhe në gjendje të mirë shëndetësore të Nëntetar Pecit e falënderoi personalisht, por edhe në emër të Kuvendit për kontributin e tij në kryerjen e misionit me guxim dhe heroizëm. “Kjo ngjarje është përjetuar nga të gjithë ne, nga të gjithë shqiptarët. Jemi të gjithë të lumtur për kthimin shëndoshë e mirë të nëntetar Pecit. Misioni i tij fisnik bën sot krenar çdo shqiptar. Ai përfaqësoi me heroizëm dhe guxim, flamurin shqiptar në një mision paqeruajtës, por edhe shumë të vështirë”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Topalli. Ndërkohë, nga ana e tij, Nëntetar Aleksandër Peci falenderoi kryetaren e Kuvendit dhe autoritetet e larta shtetërore, për mbështetjen e dhënë në të gjitha momentet e vështira, ndërsa shprehu krenarinë e tij për të përfaqësuar me dinjitet flamurin shqiptar në misionet paqeruajtëse, për sigurinë dhe paqen në botë. “Unë ju falënderoj për mbështetjen tuaj, jo vetëm ndaj meje, por dhe ndaj familjes së Kapiten Feti Voglit. Unë kam përfaqësuar Shqipërinë dhe flamurin dhe ndihem krenar t’i përfaqësoj prapë ato”, tha Nëntetar Peci, i kthyer në Atdhe dy ditë më parë, pas një kurimi të specializuar në një spital amerikan në Gjermani.
...