E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni “ungjillor” i Topallit

Kohë përpara në esenë “Dua më shumë Shqipër-hi-në” lidhur me koncertin pseudomadhështor nga performanca pseudo-patriotike, kritikova çiftin Vera Grabocka e Timo Flloko, kam stigmatizuar të vërtetën e dukshme kundrejt të padukshmes. Ndonëse regjisorja i ka dhënë kulturës kombëtare, ndërsa Timo është nga më selektivët si artist i kompletuar, e mik i dashur për mua për zemrën e dhimbsur , siç e perceptoj unë. I kam përmendur me emër sepse kritika do të ishte shterpë ( siç jam shpjeguar në çdo rast të tillë), gjë që konsistonte se shkëlqimi i këtij koncerti ishte shaka e hidhur kundrejt varfërisë popullore. Për çka shtjelloja se sipas Frojdit, Lipsit etj, performancat pompoze në dukje që kanë në themel shakanë domethënë talljen e fshehur, në asnjë formë të shprehur, por të kamufluar nëpërmjet teknikave përkatëse teorike, demagogjike e psikologjike, në esencë, pra deri në koshiencë (përveç asaj “sub”), janë tallje që stigmatizohen edhe pa dashur. Mirëpo nga një koncert që nuk përfill varfërinë e shqiptarëve nuk vjen ndonjë e keqe e madhe, kundrejt dëshirës sime dhe nevojës së përgjithshme që këta artistë të mëdhenj të bëhen Prometej. (Pra, të kritikosh me emra nga dashuria për ta, në pamundësi nga dashuria për të gjithë. Jo nga kundërshtia qëllim në vetvete. Jo me urrejtje, mllefe etj. Kështu do të kisha bërë dhe për fëmijët e mijë).
Ndërsa kur shakaja si koncept filozofik vjen nga politika maskuar me qëllime supreme, kjo paraqet atë rrezikshmëri për të cilën ne jemi kështu edhe pas 20 vjetësh. Mbrëmë në emisionin “Opinion” zonja Topalli predikoi deri në ezaurim të telespektatorit : Misionin, moralin, doktrinat e integritetin e politikanit e posaçërisht të saj. Parzmore shumë e mirë kjo për të mos ju përgjigjur pyetjeve të Fevziut. Në këtë rol kaq “sublim” me termin mision mbulonte krejtësisht mungesën e argumentit , vizionit ideor e politik e alternativave për të ardhmen. Ndaj nga “misioni” i zonjës Topalli nuk mësuam gjë, në të kundërt pësuam.
Profilit të egër në vepra e në pamje të saj (për ç’ka dikur kam shkruar që na duhet të qeshi ndonjëherë, tashmë e tejkalon me non sens në ceremonitë zyrtare brenda e jashtë vendit), pozicioni ungjillor i kësaj radhë “së qëni krejt e ftohtë dhe misionare në politikë” ishte një risi aspak bindëse sepse performanca e misionares ka domethënien e saj në qëllimin e fshehtë për tu vetëservirur si e tillë, por jo në përmbajtjen reale si politikane. Përtej predikimit misionar ishte e zorshme të kapje ngritje problemesh që na përkasin të gjithëve. Do përpiqem të përmbledh apo të organizoj ato pak çështje kontradiktore prej kakofonisë “ungjillore” të kryeparlamentares.
Duke ia ditur dhe vlerësuar mosndotjen e duarve të asaj vetë me korrupsion real (përveçse më shumë ndodhet në fluturim se sa në tokë, në shpërdorim të fondit shtetëror dhe marrjes së 20% të pronave kundrejt ish-pronarëve të tjerë ende me 0%), cili është misioni i saj kundër korrupsionit galopant, që ka kapur jo vetëm shtetin por tërë sistemin jetik shqiptar ? Në lutje e sipër që të flasë drejtësisht gjuhën tonë, vë në dukje deklaratën e saj që ajo vetë “nuk hyri, nuk pau, nuk mori dhe nuk doli” nga politika, siç bëri ndonjëri. Fjala ishte për Oketën, evidencë e theksuar nga Fevziu, për çka zonja me refren të çuditshëm tejet e vendosur reagonte që ajo “s’merret me emra”. Po kështu, edhe pse ju bë pyetja konkretisht për Presidentin e Republikës, vazhdonte refrenin koracë hermetike që “s’merrej me emra”, por s’la gjë pa thënë për personin në fjalë, edhe pse është kryeinstitucioni i shtetit. Kështu zonja Topalli nuk pati përgjegjësinë e detyrës shumë të lartë shtetërore si kryeparlamentare, që zëvendëson edhe Presidentin në mungesë, nuk pati kujdesin elementar qytetar, për të mos prishur ndërkombëtarisht imazhin e Shqipërisë. Kur asnjë shqiptar nuk pati ndonjë të keqe nga ky President, pavarësisht “nga erdhi e ku vajti” (nëse është e vërtetë), gjëra që janë thjesht për tu analizuar me kohë e problematikë përkatëse analistësh e aspak çështje që shqetëson shqiptarët. Zonja Topalli e motivon çka tha në kuadrin e korrupsionit. “Korrupsion ka pasur e do të ketë, e rëndësishme është lufta kundër tij”, - ishte dogma e radhës. Por, si luftohet kundër tij, si pengohet nga “drejtësia” (sipas saj), kjo është një mjegull. Sepse akuzohet drejtësia që s’ka kapur kurrë një të korruptuar. Mirëpo zonja Topalli harron që kjo ndodh si majtas ashtu dhe djathtas, kur në pushtet prej 8 vjetësh janë këta të fundit. Justifikime këto për të evituar thelbin : Kush është programi e strategjia anti-korrupsion i qeverisë? Cili është roli personal “i misionares” brenda PD duke qenë edhe zv/kryetare e partisë ? Etj etj .
Sipas saj, problemi i mosintegrimit në BE është faji vetëm e vetëm i opozitës. Këtu ka njëfarë të drejte, por jo krejtësisht. Ndonëse për mua problemi i së majtës mbetet Rama (cilido të jetë ai), është detyrë e qeverisë për t’i shtrirë dorën opozitës që obstruksioni të dobësohet. Kjo dodh vetëm nëse ndërmarrja Berisha–Topalli do të ishte e sinqertë, por ata thirrjen nga PS për të ndihmuar në një front të përbashkët të mjerët nën dëborë, e tejhedhin paragjykuar si strategji nga ana e PS për përfitim votash. E nëse është kështu, po pastaj? A nuk është jeta e shqiptarit ajo që duhet shpëtuar si qëllim misioni? E pra zonjës Topalli termi “mision” i maskon qëllimin - kolltuk.
E pabesueshme por e vërtetë thotë zonja Topalli, që ekonomia jonë ka rritje 4 % kundrejt krizës globale e sidomos të vendeve fqinje. Kjo sipas statistikave (që s’mund të gënjejnë sipas saj, se janë matematicienë e si të tillë të “disiplinum”, - thotë ajo. Goxha garanci kjo tejet fëminore për një politikane karriere, madje të sprovuar në korrupsion e sipër. Më vjen në mend mbrojtja qesharake e Isuf Kalos ndaj akuzave tona që : “Mjeku nuk gënjen se ka bërë betimin e Hipokratit”). Ta zëmë se statistikat thonë të vërtetën, kush janë treguesit e rritjes ekonomike? Kush i percepton ato? Si përkthehen ato në dobi të mirëqenies së përgjithshme kur kilogrami i preshit ka vajtur 1000 lek? Pyetje këto sa për ilustrim që edhe euforia e Topallit është dogmë “idealisteje, ëndërrimtareje romantike”, që beson realisht vetëm tek lufta për pushtet.
Zonjës Topalli i pëlqen shumë të jetë flamurtare e anti-komunizmit e jo vetëm. Përveç se revanshiste është dhe homofobe. Për shembull, kur kërcënoi deputetët e PS me plumb, kur quajti shqiptarët e jugut çorapegrisur e të palarë, kur ju drejtua deputetëve të PS: Të kap prej zhelesh e të qit përjashta! Tipare karakteri këto, por problemi është se autoriteti i kryeparlamentarit e ka për detyrë depolitizimin si autoritet gjithëpërfshirës. Megjithatë, më groteske është fabula e saj: E rëxuem komunizmin. A do ta rrëzonte komunizmin Jozefina Topalli po të mos ikte vetë si sistem në rënie, me format e mashtrimit të Ramiz Alisë, për ta sjellë edhe këtë zonjë në politikë, si të gjithë zarat e tjerë politikanë të së djathtës e të së majtës? Kohët e fundit kam folur në media, që mungon institucioni i akuzës dhe i pendesës. Pikërisht për këtë zonja
Topalli befas kujtohet të kërkojë pendesë nga Fehmi Avdiu (duke theksuar sërish që ajo s’merret me emra). Pse s’pendohet ky që ka firmosur për varjen e poetit Havzi Nela?”, - çuditet Topalli . E pra të bën tejet përshtypje refreni “Unë s’merrem me emra” (paranojë, frikë reale nga lidhjet e vjetra e të reja tribale maskuar me “fisnikëri”). Ndërkaq, anti-komunizmin e fokuson tek Fehmi Avdiu, kur shefi komunist ishte Ramiz Alia. Ndaj “shakaja” apo tallja ndaj shqiptarëve për “fisnikëri” bie poshtë. Për më tepër, kundrejt 6000 të vrarëve gjatë 50 vjet komunizëm sipas saj në vitin 97 u vranë 3000 anëtarë të PD. Kush do të pendohet për ta? Ndërkaq, është e pa tolerueshme që zonja të krijojë tymnaja për organizime okulte, të cilat e ka për detyrë t’i zbërthejë e të bëjë transparencë publike. Si kryeparlamentare është i pa falshëm qëndrimi ndaj Kreshnik Spahiut, madje kësaj radhe jo vetëm s’pati problem nominimi, por as etiketimi ekstrem. Cilido të jetë personalisht për sytë e saj, zoti Kreshnik Spahiu është gafë politike, diplomatike, sociale e revansh antidemokratik për kryeparlamentaren tonë tek mohon vetë dialektikën e zhvillimit të lindjes së partive të reja, aq më tepër me gjak të ri e me platformë shumë të shëndetshme politike, çka i ka munguar Shqipërisë. U ndala gjatë në intervistën e zonjës Topalli, është shumë i rëndësishëm mësimi për çdo qytetar, në të kundërt të moralitetit të saj për çdo problem që duhet ngritur. Pak rëndësi ka emri i personit fajtor, por ka shumë rëndësi faji që zgjerohet e thellohet me metastazat që kapin gjithë shoqërinë. Por, emri është i domosdoshëm se emri e përfaqëson fenomenin e kështu goditet vatra e infektuar. Kush ngre probleme pa nominime realisht nuk ka ngritur asgjë, nuk ka thënë të vërtetën, por është rrotulluar rreth vetes për të ruajtur kolltukun. Ndaj zonja në fjalë “erdhi, pau, nuk mori, nuk iku” për të ruajtur kolltukun dhe nga “misioni “ i Jozefina Topallit shqiptarët nuk kanë ç’të presin!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›