Miss Ilda,një DJ mama
sonila merolli
Ajo nuk e ka shumë të qartë nëse ishte dashuria që e shtyu drejt muzikës, apo muzika drejt dashurisë. Thuajse pa e kuptuar, nga një gjimnaziste ajo e gjeti veten në pultin miksimit, duke bërë muzikë për frekuentuesit e jetës së natës. është 26 vjeç dhe është e para DJ femër në Tiranë. I thonë Dj Miss Ilda, është një ndër më të kërkuarat në llojin e vet. “Në fillim m’u duk interesante, pasi nuk kishte femra të tjera, por më tej u kthye në punën time të përditshme, që më siguronte të ardhura të mira”, tregon ajo. Ndërkohë studion për Biokimi, por është edhe bashkëshortja e Rubenit, një tjetër DJ, si dhe mami i një djali dy-vjeçar me emrin Frenki.
***
Pasioni kundra rrymës
Rubeni performonte në një nga lokalet pranë gjimnazit “Sami Frashëri”. Ilda asokohe ishte nxënëse dhe shkonte përditë të pinte kafenë, pikërisht në barin ku punonte ai. Aty lindi jo vetëm dashuria mes tyre, por edhe pasioni i madh për muzikën. “Miksimet e para kanë qenë në rrymën latine-house, dhe sot e kësaj dite unë ndjek atë linjë. Më kujtohet se hera e parë që provova veten si dj, të dashurit tim iu desh të largohej disa momente dhe ma la mua drejtimin. Në fillim u emocionova shumë, edhe pse në ato vite, Dj-t qëndronin brenda një kabine të mbyllur me xhama të errët. Duke e parë përkushtimin tim dhe atmosferën që krijohej te njerëzit, më vonë ai gjente arsye nga më të ndryshmet, që ta zëvendësoja disa orë. Kështu fillova ta merrja seriozisht prirjen time”, tregon vajza që pas tre muajsh do të bëhej dee jay e parë femër. Sa për “sekretet” e profesionit, ajo thotë se “duhet ta dish çfarë do të dëgjojë publiku, çfarë i tërheq dhe si mund t’i joshësh. Veçantia qëndron jo aq te rryma, sesa tek mënyra si i luan këto ato”. Ndërkohë, sapo ka hedhur në treg produksionin e saj, nën siglën “Tesla” dhe posterat me emrin e saj i gjen në gjithë diskotekat dhe klubet e pellgut të Ballkanit. Përtej arritjeve në këtë fushë, paralelisht ndjek studimet për Biokimi, pasi siç shprehet ajo “një diplomë në xhep, është një siguri për të ardhmen”.
***
Edhe dy javë para se të vinte në jetë djali i saj Frenki, ajo bënte muzikë për njerëzit e natës. Por ky nuk është i vetmi rast, kur Ilda, tejkalonte pritshmërinë. I kujtohet mbrëmja më e gjatë të jetës së saj. Iu kthye punës kur ishte ende lehonë prej tri javësh. “Teksa punoja, mendja më rrinte gjetiu. Numëroja minutat që mbeteshin për t’u kthyer te bebja ime sybojëqielli. E ndieja veten fajtore, karshi tij, edhe pse e kisha lënë në duar të sigurta”, thotë ajo teksa i rikthehet angazhimeve të dy viteve të fundit. Por fundja ky ishte profesioni që kish zgjedhur, dhe kurrsesi nuk mund të shtynte datat e fiksuara në axhendën e saj, prej shumë kohësh. Përpos vrarjendërgjegjes së diktuar nga mëmësia, profesioni i saj ka pasur edhe anët pozitive, andaj kur nis të tregojë për lidhjen e të birit me muzikën, nuk ka vend për t’u çuditur. “Kur isha shtatzënë dëgjoja me orë të tëra në kufje muzikë klasike, pasi kisha lexuar diku se i bën bebet më të ndjeshëm. Dhe kështu ndodhi. Ai reagon ndaj çdo rryme muzikore”, thotë ajo. Tashmë pohon se periudhën e ngarkuar e ka hedhur pas krahëve. “Frenki ka mbushur dy vjeç dhe nuk është shumë i varur ndaj nesh, përkundrazi është një fëmijë i qetë, që përshtatet me ritmin tonë. Kënaqësia më e madhe është në momentet kur ne shkojmë të flemë, ai çohet nga krevati dhe vjen të na puthë”...