Partizani “shkarkon” Bejzaden
Leonard Karaj
Trajneri i Partizanit Skerdi Bejzade është pezulluar pa afat nga drejtuesit e klubit, ndërsa çuditërisht edhe është zëvendësuar nga trajneri Gert Haxhiu.
Administratori i të kuqve, Paro Laçi, me anë të një deklarate për shtyp ka pezulluar pa afat dje trajnerin Skerdi Bejzade. Motivacioni: “Shkelje e rregullores së klubit, duke u prononcuar në media pa marrë leje”. Gjithashtu, për këtë veprim, i konsideruar i ndaluar nga administratori Laçi, Bejzade është gjobitur edhe me një rrogë mujore. Në të njëjtën ditë, me shkarkimin e Bejzades nga stoli i kuq, në vend të tij është ulur Gerti Haxhiu, ish-trajneri i Apolonisë dhe Skënderbeut. Një lëvizje e papritur në fakt kjo te Partizani, pas disa fitoreve radhazi, por që tregon se gjërat “nën rrogoz” nuk shkojnë ashtu si duhet. Mosmarrëveshjet mes presidentit Albert Xhani dhe përfaqësuesit ligjor të klubit Paro Laçi duket se janë transportuar edhe në skuadër. Në funksion të kësaj, Paro Laçi duket se ka nisur spastrimin e elementëve të “sponsorizuar” dhe të vënë në drejtim nga Albert Xhani. Bejzade ishte njëri prej këtyre, i caktuar si zv. trajner nga Xhani në fillim të edicionit (trajner si fillim ishte Eduart Zhupa) dhe më pas si Njëshi i padiskutueshëm i pankinës së kuqe. Nën drejtimin e Bejzades skuadra arriti të marrë disa fitore të rëndësishme duke ngjitur ndjeshëm shkallët në renditje. Aktualisht “Demat e kuq” renditen në vendin e 6-të në Kategorinë e Parë me një ndeshje më pak (Bilishtin) duke koleksionuar 10 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje. Për t’u theksuar është fakti se Bejzade u vu në krye të skuadrës së Partizanit, i vetëm pikërisht në ndeshjen ndaj Kamzës në fazën e parë të kampionatit. Pas humbjes së Të kuqeve në fazën e parë nga Luftëtari në Gjirokastër, Mond Zhupa u largua nga drejtimi duke i lënë postin Bejzades. Ndërkohë si për çudi shkarkimi (për momentin është cilësuar vetëm pezullim) i teknikut vjen pikërisht para ndeshjes me Kamzën, skuadër kjo rivale direkte e Partizanit për një vend në play-off për në Superligë. Takimi i parë mes këtyre skuadrave përfundoi 2-1 për Partizanin, ndeshje kjo e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi”.