E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati: Shpërthimi i Gërdecit të përsëritet me eksperiment



Armand Bajrami

Avokati mbrojtës i Mihal Delijorgjit, i kërkoi dje Gjykatës së Tiranës të realizojë në një eksperiment hetimor, një shpërthim të ri dhe të kontrolluar baruti, në vendin ku ndodhej fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec. Avokati Maks Haxhia tha se bëhet fjalë vetëm për një eksperiment hetimor. Me anën e këtij eksperimenti, mbrojtësi ligjor pretendon të provojë nëse shpërthimi i 15 marsit 2008 në Gërdec erdhi si pasojë e një karroce të salduar, e cila u vu në kontakt me barutin kur ishte ende e nxehtë. Kërkesa u paraqit në seancën e djeshme me 29 të pandehur nga avokati Maksim Haxhia, mbrojtësi i të pandehurit Mihal Delijorgji në proces. Avokati i kërkoi gjykatës kryerjen e një eksperimenti hetimor duke rindërtuar ngjarjen. Në seancën e djeshme gjykata u njoh me shtatë dëshmi të reja në proces. Dëshmitarët Begator Mane, Klodian Qefalia, Luiza Zeneli, Mihane, Edmond e Fehmi Syla, si edhe Haki Nasufi iu përgjigjën pyetjeve të palëve mbi dijeninë që kishin rreth fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.
EKSPERIMENTI
“Kërkoj eksperiment hetimor në Gërdec. Të saldohet një karrocë në largësinë që pretendohet nga Prokuroria, të jetë salduar karroca e shpërthimit. Të lihet të ftohet për gjysmë orë. Të tërhiqet drejt vendit ku pretendohet të ketë qenë karroca. Të vendosët një sasi baruti pranë saj dhe të krijohet kontakti”, u shpreh duke iu drejtuar gjykatës, avokati Maksim Haxhia. Sipas avokatit, duke mundësuar këtë “rindërtim në miniaturë” të shpërthimit tragjik të 15 marsit 2008 do të vërtetohej nëse qëndron versioni i Prokurorisë për ngjarjen, sipas të cilës shpërthimi erdhi pas ndezjes së barutit nga një karrocë e salduar pak më parë. Prokurorët e çështjes i kërkuan gjykatës mospranimin e kërkesës, duke pretenduar se kishte kaluar momenti procedural për një kërkesë të tillë. Gjykata do të shprehet në seancat e ardhshme në lidhje me kërkesën.
DESHMITE
Klodian Qefalia, ish-punëtor numërimi për arkat e municioneve që hynin në Gërdec, tregoi dje në gjykatë se mbi 20 makina me municione shkonin çdo ditë në fabrikë. Në fund të rrëfimit të tij, gjykata pranoi kundërshtitë e evidentuara në dëshmi nga avokati Arben Prifti, mbrojtës i Dritan Minxollit. “Zjarri në fabrikë mund të jetë i qëllimshëm, pasi Dritani (Minxolli) kishte konflikte me banorët e zonës për shkarkimet nga puna”, kishte deklaruar dëshmitari më parë në Prokurori. Dëshmitari Begator Mane, tha dje se kishte parë gjeneralin Luan Hoxha në fillesat e punës së fabrikës së Gërdecit. Mane, administratori i kompanisë private që ka siguruar fabrikën deri në tetor 2007, tha se personalisht nuk e njihte gjeneralin Hoxha, aktualisht të pandehur, por se më pas i kishin thënë se behej fjalë për të. Dëshmitari përmendi se në Gërdec qëndronin pa ndërprerje specialistë amerikanë. Sipas tij, kishin qenë këta, ata që kishin fikur një vatër zjarri, të lindur gjatë provave për vënien në punë të makinerive të fabrikës. Mane tregoi se njëherë kishte shkuar në shoqërinë e Dritan Minxollit, në repartin Ushtarak të Rinasit, ku kishte parë disa kuti municionesh të boshatisura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›