Mister vrasja e palestinezit, policia: 10 mijë $ për gjetjen e vrasësit

Ndërsa kanë kaluar dy javë nga vrasja makabre e shtetasit palestinez, Anëar Rizik, ende nuk ka asnjë të dhënë apo gjurmë rreth autorëve të krimit.
Për këtë arsye, Policia e Tiranës ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë dollarësh për të gjithë ata persona që kanë informacione të dobishme rreth autorit të shpërthimit të ndodhur më 5 maj, në derën e banesës ku jetonte palestinezi, i cili ishte zv/drejtor fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë.
“Theksojmë se në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është ngritur një Grup i Posaçëm hetimor të cilët po punojnë intensivisht edhe me Drejtorinë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale.Njëherazi, falendojmë qytetarët, të cilët mbështesin dhe informojnë në kohë strukturat e policisë dhe i garantojmë në çdo rast ruajtjen e anonimatit, duke telefonuar në Nr. e kontaktit 129 ; Cel : 069 41 06 433 ; 069 41 00 751.”- bëri të ditur policia.
Zëvendësdrejtori i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, shtetasi palestinez, Anëar Rizik, mbeti i vrarë në mënyrë tragjike mëngjesin 9 majit , nga një shpërthim i fuqishëm eksplozivi të vendosur në portën e shtëpisë së tij. Ngjarja përhapi panik në zonën përreth, edhe për faktin se 43-vjeçari nga Palestina banonte shumë pranë Ambasadës Amerikane. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:35 të mëngjesit, tek sheshi që krijohet mes rrugës që të çon nga Liceu Artistik për në Qytetin Studenti në Tiranë. Anëar Rizik, 43 vjeç, nga Jerusalemi ishte duke dalë nga banesa e tij me qira, dhe kur ka hapur portën e jashtme të oborrit ka aktivizuar mekanizmin e shpërthimit të eksplozivit. Sipas Policisë, eksplozivi ishte vendosur në mes, në bashkimin e dy kanatave të portës. Fillimisht u dyshua se eksplozivi përbëhej nga një granatë dhe një sasi e dyshuar si tritol, e cila ishte vendosur për t1`u aktivizuar në mënyrë mekanike nga hapja e portës.
Por më vonë, ekspertët e Ambasadës Amerikanë që kryen ekzaminimin, arritën në përfundimin se eksplozivi ishte vetëm tritol. Anëar Rizik punonte dhe jetonte prej rreth 14 vitesh në Shqipëri. Grupi hetimor i Policisë së Tiranës ka sekuestruar disa kamera private sigurie të vendosura në vendin e ngjarjes, por ka rezultuar se ato nuk kishin fokusuar asgjë. Ndërkohë pritet konfirmimi i Uashingtonit zyrtar për të marrë kamerat e sigurisë që ndodhen në murin rrethues të Ambasadës Amerikane, tek të cilat hetuesit kanë mjaft shpresa për të gjetur pamjet e autorit, duke qenë se ndodhen në një distancë prej rreth 20 metrash nga shtëpia e shtetasit palestinez.