E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri i axhendës, sot ministri Panariti në Athinë

ATHINË- Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, ka ndryshuar në mënyrë suprizë axhendën e vizitës së tij zyrtare në Greqi. Ndryshe nga sa ishte planifikuar, shefi i diplomacisë shqiptare u nis dje drejt Athinës dhe jo më datë 5 tetor kur edhe paraprakisht ishte vendosur të realizohej kjo vizitë. Aryset e ndryshimit të axhendës nuk janë bërë publike. Por burime zyrtare nga MPJ deklaruan dje për “Gazeta Shqiptare” se “Panariti paraprakisht kishte planifikuar një vizitë zyrtare në datën 3 tetor në Qipro dhe mandej të vizitonte Greqinë në datën 5 tetor. Ndërkohë që 48 orë më parë ai vendosi të bënte një rokadë duke vizituar Athinën në datë 3 tetor e mandej Nikosian në datën 5 tetor”, - u shprehën burimet duke preferuar mandej të ruajnë konfidencialitetin e arsyeve që detyruan ministrin e Jashtëm të ndryshonte axhendën. Fillimisht lajmin për vizitën e tij nëAthinë ditën e sotme, e bëri të ditur ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë me anë të një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare në internet. Vetëm 15 orë më vonë, MPJ shqiptare me anë të një njoftimi të shpërndarë në rrugë elektronike për mediat bëri po dje të ditur se “ministri i Punëve të Jashtme, z.Edmond Panariti u nis për në një vizitë zyrtare në Athinë, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Dimitris Avramopoulos. Gjatë kësaj vizite, Ministri Panariti pritet të takohet edhe me Presidentin e Republikës Greke, z. Karolos Papulias, si dhe me përfaqësues të komunitetit të shqiptarëve në Greqi. Gjatë takimeve do të trajtohen çështje të axhendës dypalëshe dhe shumëpalëshe, të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe të rajonit tonë”, - citojmë nga njoftimi i shkurtër për shtyp i MPJ. Pritet që gjatë vizitës së Panaritit në Greqi të diskutohet edhe çështja e ndarjes së ujërave territoriale, e mbetur pezull për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare që e shpalli atë nul. Panariti është zyrtari i parë që viziton Greqinë, që prej formimit të qeverisë së re.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›