E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë ankimim për ‘Albpetrol’, raporti në Këshillin e Ministrave

TIRANE- Përfundon afati i ankimimeve lidhur me tenderin për dhënien me koncesion të kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol. Nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës u bë me dije se në drejtim të saj nuk arriti asnjë pretendim lidhur me renditjen e konkurrentëve, të kryesuar nga konsorciumi amerikan Vetro Energy.

Të premten e shkuar Zëvendësministri i METE, Sokol Dervishaj, paraqiti raportin paraprak të renditjes së kompanive, ku konsorciumi amerikan, “Vetro Energy” mori maksimumin e pikëve.

Komisioni i vlerësimit të ofertave shqyrtoi për 20 ditë, të gjithë dokumentacionin e dorëzuar nga kompanitë, duke marrë parasysh se 75% të kritereve për blerjen e aksioneve të kompanisë i zë çmimi i ofruar ndërsa 25% përvoja në fushën e energjisë dhe plani i investimeve.

Pas dorëzimit të dokumentacionit në Këshillin e Ministrave, kompania fituese duhet të paguajë 20% të vlerës së ofruar në mënyrë që të fillojë negocimi i kontratës për shfrytëzimin e burimeve natyrore të naftës dhe gazit. Pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Shqipërisë, kompania ka 25 ditë kohë afat për të depozituar të gjithë shumën e ofruar.

Deri më sot, shfrytëzimi i burimeve ka një rendiment të ulët për shkak të teknologjisë së vjetër të përdorur dhe mungesës së investimeve, për të cilat duhen shuma të konsiderueshme që vetëm sipërmarrja private mund t’i përballojë. Pronari i ri i Albpetrolit do të ketë në pronësi të gjitha asetet e ndërmarrjes shtetërore si edhe shfrytëzimin e 1400 puseve në fushën e Patos-Marinzës dhe Kuçovës për një periudhë 25- vjeçare.

Privatizimi i Albpetrolit është parë nga qeveria si një ndër faktorët kyç për rimëkëmbjen e sektorit që do i japë një shtysë ekonomisë së vendit. Pas kësaj faze, raporti i vlerësimit të ofertave do të dërgohet në Këshillin e Ministrave dhe më pas do të dalë dhe kompania fituese.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›