E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri i fitoreve të njëpasnjëshme të Berlusconit dhe Lega Nord

Duke qenë se kam studiuar për thuajse 11 vjet në Itali, ngjarjet e bujshme të këtij vendi më përfshijnë emocionalisht dhe madje edhe tani që jetoj në Shqipëri, i ndjek me mjaft vëmendje zhvillimet politike e kulturore atje. Jo vetëm kaq, por mendoj se zhvillimet politike në Itali kanë një ndikim edhe në politikën shqiptare për vetë rolin dhe rëndësinë që Italia ka në Shqipëri.
Zgjedhjet e fundit rajonale kanë lënë të habitur mjaft analistë mendjehollë për rezultatet. Megjithëse me një rezultat që ka pasur një ulje të lehtë kundrejt zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të vitit të kaluar, prapë mund të thuhet se zgjedhjet janë fituar nga e djathta në koalicion me Lega Nord (Lidhja e Veriut). Madje, kjo e fundit ka arritur një rezultat historik: në nivel kombëtar ka rritur të fitojë 12.7%. Kjo arritje e Lega Nord ka dhënë shkas për shumë interpretime analistësh atje, por unë do të doja ta shikoja me syrin e një të huaji (term mjaft i pëlqyer ky për anëtarët e kësaj partie). Por suksesi i Lega Nord nuk është i shkëputur nga ai i partisë së Berlusconit, Popolo della Libertà. Nga 12 rajone ku drejtonte qendra e majtë, asaj i mbeten 7 rajone, ndërkohë që 4 të tjera i kalojnë së djathtës. Emblematik mbetet rasti i rajonit Campania në Jug që i kalon së djathtës pas 17 vitesh qeverisje të majtë.
Ka pasur, gjatë ditëve para zgjedhjeve, analistë të cilët mendonin se Berlusconi do të kishte të njëjtin fat si Sarkozy në Francë, i cili u ndëshkua jo vetëm për probleme të mosadministrimit të mirë politik, por edhe për dukshmërinë e lartë të sferës private në jetën publike me elementë të fortë publiciteti (gruaja e tij e fundit është një top-modele italiane). Ky mendim bazohej në problemet e fotografive të publikuara të vilës së Berlusconit që e paraqitnin atë në shoqërinë e mjaft vajzave të reja në ambientet e vilës.
Edhe mjaft politikanë të majtë - Dario Franceschini ka qenë ndër më emblematikët në këtë aspekt - kanë kërkuar të tejshquajnë çështjen morale në politikën italiane, duke lënë të nënkuptojnë mungesën e thellë, sipas tyre, të moralit të Berlusconit dhe partisë që ai drejton. Madje, vitin e kaluar, para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, Franceschini arriti deri atje sa të thoshte publikisht se Berlusconi nuk është një model i mirë si baba në një familje, gjë që solli reagime tepër të ashpra nga familja e tij dhe nga e djathta. Kjo tejshquarje u bë aq e madhe, sa përpara zgjedhjeve komunale dhe humbjes së Veltronit në Romë, ky i fundit, në cilësinë e shefit të opozitës asokohe, pati nisur një fushatë në gjithë të majtën italiane për debatin mbi çështjen morale.
Mirëpo të gjitha këto tejshquarje për çështjen morale duket se popullit italian nuk i bëjnë fort përshtypje, pasi edhe zgjedhjet e fundit e dëshmojnë diçka të tillë. Arsyet mund të jenë të shumta, por unë do të përqendrohem në njëfarë falsiteti me anë të të cilit e majta italiane i paraqitet popullit italian si një grupim politik që e ka për zemër këtë çështje.
Po jap disa shembuj. Ku qëndron forca morale aq e trumbetuar e së majtës italiane? Dihet se e majta italiane nuk i ka për zemër vlerat e familjes, martesës tradicionale, vëmendjen klasike që e majta ka pasur për të varfrit. Në dy vjet qeverisje të Romani Prodit, para dy vjetësh, mjaft debate në Parlamentin italian përqendroheshin në mënyrën se si mund të ndërtoheshin banjo publike për biseksët!! Madje, një ministër deklaroi publikisht se ishte biseks. Pra, gjërat e pavlera evidentoheshin si thellësisht morale. Ndërkohë, mjaft parlamentarë italianë të majtë jetojnë në një luks të paimagjinueshëm, vëmendja që ata do të duhej të kishin për të varfrit, si një traditë e së majtës italiane, është thuajse ineksiztente. Ka mjaft personazhe që kanë qenë komunistë në rininë e tyre dhe habitesh tek i shikon të bëjnë xhiro me jahtet e tyre. Madje, njëri syresh - Massimo DAlema - para ca kohësh u shfaq në brigjet e Durrësit me jahtin e vet. Sa larg janë këto modele jetese të këtyre politikanëve prej asaj vëmendjes klasike morale për të përjashtuarit e për nevojtarët?!
Atëherë, në këtë situatë, ku nga njëra ana tejshquhet çështja morale dhe nga ana tjetër veprohet pa asnjë lloj koherence, populli italian ka preferuar të zgjedhë ndoshta të keqen më të vogël, Berlusconin në koalicion me një parti raciste: Lega Nord.
Marrëdhënia e Berlusconit me Lega Nord ka qenë problematike ndër vite. Madje, ajo u në shkak i rënies së Berlusconit në vitin 1994 pas fitores së tij të parë kur hyri në politikë dhe ashpërsimi arriti deri atje sa Umberto Bossi e quajti publikisht Berlusconin si Mafiozi i Arcores (Arcore është vendi ku është një ndër vilat e Berlusconit në Milano).
Mirëpo, me kalimin e viteve, Berlusconi e kuptoi se pa Lega Nord nuk mund të vinte në pushtet dhe madje lëshimet që ai i ka bërë kësaj të fundit, janë të shumta.
Lega Nord po i krijon probleme vetë partisë së Berlusconit, Populli i Lirisë, pasi në veri të vendit, në disa raste kjo ka dalë si parti e parë. Tek kjo parti, populizmi ka një peshë specifike të lartë, pasi edhe elektorati i saj është kryesisht fshatar dhe me arsim të ulët. Një pikë e fortë e kësaj partie është racizmi ndaj të huajve. Mosmenaxhimi i mirë i fenomenit të emigracionit nga e majta nga viti 1996 deri në 2001-shin solli mjaft probleme sociale në fenomenin e migracionit në Itali dhe kjo gjë bëri që qëndrimi racist i Lega Nord të fitonte shumë pikë në terren. Një pikë tjetër e fortë e kësaj partie është edhe euroskepticizmi që ajo mbështet. Falë idesë së federalizmit dhe të famshmit dovolution të U. Bossit, Evropa duket në sytë e kësaj partie si një armike e grupeve etnike në Itali. Jo më kot në tubimet e tyre, simpatizantët e Lega Nord kanë filluar të gjejnë objekte apo zona që rithërrasin në skenë totemet e lashta të lombardëve. Mblidhen pranë lumit Po dhe nuk hezitojnë ta thërrasin veten lombardë sipas popujve etnike që kanë populluar Italinë e Veriut.
Në këto kusht shihet, pra se e djathta italiane nuk është dhe aq pranë problemeve të njerëzve dhe është larg atyre modeleve politike që kanë promovuar De Gasperi, La Pira apo të tjerë që kanë bërë historinë e një politike thellësisht autentike në Itali, por ama është në sytë e italianëve shumë më e moralshme dhe më koherente se e majta italiane që trumbeton një gjë dhe bën një tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›