Pitella me Ramën: Transparenca, përmes dialogut në Kuvend
Zv.presidenti i PE-së, Gianni Pitella, i cili i përket së majtës, ka qenë i mirëpritur në ditën e dytë të vizitës në selinë rozë, ku nuk ka nguruar ta quajë kryesocialistin Rama bashkëpunëtor dhe mik. Ndërkaq, Pitella ka inkurajuar politikën që ta gjejë zgjidhjen në Parlament me anë të dialogut dhe ka mbështetur transparencën e plotë të zgjedhjeve. Pitella tha gjatë konferencës së përbashkët se procesi i integrimit dhe i liberalizimit të vizave do të ishin më të suksesshëm, nëse do të kishte një klimë politike të qetë në vend. Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, shqetësimi për krizën ekonomike sociale, nevoja për të liberalizuar vizat, të gjitha këto sugjerojnë qetësimin e klimës politike në Shqipëri, - tha ai, pasi premtoi se do të lobojë pranë KE-së për heqjen e vizave. Ndërsa për hetimin e zgjedhjeve, ai tha se më duket se askush nuk do të vërë në diskutim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, por është vullneti dhe besoj kërkesa legjitime për të garantuar për të ardhmen zgjedhje transparente, të sigurta, që tregojnë qartësisht se kush është fituesi i vërtetë. Unë mendoj se një klasë politike inteligjente që shikon nga Evropa dhe që ka përzemër interesin e komunitetit të vet duhet të dijë të gjejë një pikë ekuilibri mes kësaj nevoje për transparencë dhe nevojës për qetësim të përgjithshëm të klimës politike.