E Diel, 1 Nëntor 2026

Replikat për votimin e 19 marsit, Topalli: Xhafaj të kërkojë falje

Seanca e djeshme plenare, ku në 60 minutat e para ishte e pranishme dhe opozita, ka nisur me debate. Replikat këtë herë janë shkëmbyer mes deputetit socialist Fatmir Xhafaj dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Lidhur me votimin e javës së kaluar të komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve, socialisti Xhafaj akuzoi kryetaren e Parlamentit për shkelje të ligjit dhe rregullores së Kuvendit, për sa i përket votimit të komisionit, ndërkohë që sipas Xhafës, nismat u tërhoqën. Kur të dyja ishin iniciativa ligjore të nënshkruara nga të njëjtët deputetë, me të njëjtin kryetar grupi që artikuloi kërkesën e tërheqjes së dy nismave, pse u pranua vetëm njëra? Do kërkoj prej Topallit të pranojë shkeljen e ligjit dhe rregullores për ngritjen e komisionit hetimor, - pohoi ligjvënësi socialist. Sipas tij, PS hyri në debat me një ofertë serioze, të përkrahur nga një shumicë dërmuese dhe ka ofruar më shumë se një shteg të mundshëm për kompromis të sotëm, për garancinë e të nesërmes. Ne jemi sërish sot në këtë sallë për të dëshmuar se në themel të të gjitha krizave është trajtimi i votës dhe vullnetit të qytetarit. E premtja e zezë e Kuvendit të dhunuar është një provë tjetër për opozitën të deklarojë që marrëdhënia e saj me Kuvendin kalon vetëm një shtrat, transparencën e 28 qershorit, nëpërmjet hapjes së kutive që mbani peng, - deklaroi Xhafaj. Kryetarja e Kuvendit i është përgjigjur akuzave të socialistëve për parregullsi, duke paraqitur filmimin e momentit të votimit të komisionit hetimor, të 28 marsit, duke u shprehur se nuk është shkelur asnjë ligj e rregullore. Topalli i ka paraqitur deputetëve socialistë edhe listën e votimit, lidhur me akuzat për votim të Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. Zoti Xhafaj, ju kam dëgjuar. Shpreh keqardhje. Zoti Xhafaj nëse atë ditë nuk e keni pas mendjen, të nesërmen keni pasur mundësi të lexoni në gazeta, se vendimi ka qenë i shpërndarë. Nëse se keni pasur vëmendjen, unë ju ftoj ta ndiqni çështjen dhe ju të më kërkoni falje, - replikoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›