E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, protestë pa Ramën në Lushnje

Partia Socialiste ka nisur dje protestat e muajit prill nga qyteti i Lushnjes, por pa shumë bujë dhe pa praninë e kryetarit të partisë, Edi Rama. Megjithëse është vetëm pak kilometra larg nga Tirana, Rama nuk ka preferuar të jetë i pranishëm në nisjen e sezonit të protestave, të cilat pritet të kulmojnë më 30 prill në kryeqytet. Në vend të tij, nga qendra kanë qenë tre deputetë, Arben Çuko, Fatos Tushe dhe Bashkim Fino, të cilët mbajtën fjalimet në një tubim me pjesëmarrje të ulët në një qytet që njihet si bastion i së majtës. Por pjesëmarrja e paktë në numër duket se sdo të jetë problem për kryesocialistin, i cili tha dje se ky muaj do të jetë muaj protestash, që nuk do të vlerësohen nga numri i pjesëmarrësve, por nga përfshirja e qytetarëve në ngritjen e çështjeve jetike, që janë çështje të jetës së tyre të përditshme dhe që lidhen drejtpërdrejtë me atë që gjendet e kyçur në kutitë e votimit dhe në 30 prill. Fino, duke folur në qytetin e Lushnjes, ka sulmuar jo vetëm Kryeministrin Berisha, por dhe LSI-në. Këshilltarët e djathtë po bashkohen me ata të LSI-së dhe po bllokojnë buxhetet e bashkive. Ndërkohë që dihet se buxheti i një bashkie është pasuri për komunitetin, - tha Fino.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›