Misteri i të mbijetuarit nga koma
Linda Wouters nuk besonte në mrekulli, derisa pa një të tillë me sytë e saj, pra deri ditën kur pa të lëvizte dorën e Rom Houben. Mjekët kishin ngulmuar vazhdimisht se viktima e aksidentit automobilistik ishte zhytur në një koma të rëndë. E ndërsa mjekët ishin thuajse të sigurt për rrugën pa kthim në të cilën ishte nisur Rom, terapisti i tij kishte tjetër mendim. Në një spital rreth 50 kilometra larg Brukselit, ku jeton Houben, 46 vjeç, zonja Wouters rrëfen për udhëtimin e tij të gjatë për t‘u rikthyer sërish në jetë dhe teknikës që i mundëson komunikimin me botën. Pas plot 23 vjetësh "i mbyllur" i ndërgjegjshëm, por i paralizuar dhe krejtësisht i paaftë për të folur dhe komunikuar, Houben ia ka dalë së fundi që të përcjellë mesazhe shumë të sakta dhe terapistja e tij e drejton në këtë përpjekje hap pas hapi. Ajo ia merr dorën dhe ia vendos mbi një ekran kompjuteri përmes të cilit ai shprehet. Disa ekspertë të mjekësisë bëjnë çudi se si është e mundur që një pacient që konsiderohej i vdekur për 23 vjet tani arrin që të shtypë fjalë në kompjuter dhe të komunikojë kthjellët ato që dëshiron. Sipas terapistes së pacientit, një ndër gjërat e para që ai shprehu ishte "jam i bekuar". "Është e vështirë që të imagjinosh një gjë të tillë dhe unë e kuptoj se çfarë ka parasysh ai kur e thotë një gjë të tillë", rrëfen Linda Wouters, e cila e di shumë mirë se sa e vështirë ka qenë "rilindja" e pacientit. Ajo ka kaluar përmes muajsh të tërë të dhimbshëm. "I kërkonim vazhdimisht që të përpiqej të paktën të arrinte të puliste sytë, por Houben nuk ia dilte dot as këtij veprimi. I kërkonim që të lëvizte buzët, por sërish ishte një mision i pamundur. Por dikush vuri re se ndërsa ne i flisnim, atij i lëvizte një gisht këmbe ndaj ne nisëm që ta përdornim këtë mundësi për ta bërë pacientin të komunikonte. Më pas një terapist amerikan që e vizitoi pacientin tha se me shumë përpjekje do të ishte e mundur që Houben të lëvizte gishtin tregues". Kështu, pak nga pak, terapistja nisi një punë të jashtëzakonshme që solli rezultate të jashtëzakonshme. Ata së bashku filluan mësimin e teknikave të komunikimit, të cilat aktualisht pacienti po i përdor madje për të shkruar një libër për jetën e tij, për gjithë përjetimet në vitet e gjata të moslëvizjes dhe ndjesitë e reja të rizgjimit në një tjetër botë, ndryshe nga jo që kishte njohur para se të aksidentohej. "Me Houben ka ndodhur një mrekulli e vërtetë dhe fatmirësisht funksionoi". Metoda e terapistes konsiston në aftësimin e gishtit tregues për të shkruar në kompjuter. Për të arritur në stadin aktual, të dyve u janë dashur thuajse tre vjet punë e pandërprerë, përpjekje që në më të shumtën e rasteve dukeshin të dëshpëruara dhe të kota. Por kjo metodë nuk ka arritur që të bindë të gjithë mjekët dhe ekspertët e fushës. Por rezultati i arritur është aq i jashtëzakonshëm, sa mjekëve nuk u mbetet veçse të heshtin dhe të mbajnë shënim për sa ka ndodhur. Libri i parë i Houben është publikuar në një revistë të qendrës spitalore. Në të ai ka përshkruar rizgjimin e tij të jashtëzakonshëm. "Në fillim ndieja se dikush më kishte kyçur dhe e kishte flakur çelësin tutje përgjithmonë. Në sytë e botës unë isha një djalë i ri që befas isha shndërruar në një qenie vegjetative. Unë isha shtrirë gjatë gjithë kohës në të njëjtin vend, po a isha vërtet aty? Unë dëgjoja, shihja, ndieja, por vetëm së brendshmi, larg syve të botës. Tani mund të komunikoj përmes aftësive të fituara nga një punë jashtëzakonisht e gjatë dhe e lodhshme. Jo të gjithë besojnë në këtë mënyrë e formë komunikimi, sepse është një metodë ende e pambështetur nga shkenca, por që jep rezultat dhe mbi të gjitha për mua është jetike. Më në fund ajo çka ndiej dhe mendoj mund të ndahet me të tjerët".
Houben 20 vjet më parë pësoi një aksident të rëndë rrugor pas të cilit nisi një jetë vegjetative, por që gjithsesi, i jepte mundësi që të ndiente, të dëgjonte e shikonte. Kjo bëri që pacienti të jetonte një vuajtje të madhe duke qenë njëherazi pjesë dhe jo pjesë e botës. Ai nuk arrinte që të shprehej dhe t‘u thoshte familjarëve të tij se pavarësisht se për ta ishte shndërruar në një "copë mishi", ai dëgjonte dhe ndiente gjithçka. "Ka qenë shumë frustruese për mua dhe të dashurit e mi. Nuk mund ta ndaja dhimbjen me ta, nuk mund t‘i ngushëlloja tek i shihja rreth meje të shkreheshin në vaj. Vetëm imagjinoni se si mund të ndiheni kur të gjithë të dinë "të fikur", ndërkohë që ti je i gjallë. Është si të jesh një njeri i padukshëm. Thjesht je i përjashtuar nga jeta", shkruan pacienti. Për shumë mjekë rasti i pacientit belg është një mrekulli, sepse në përgjithësi pacientë të tillë nuk arrijnë të rikthehen më në jetë dhe mbi të gjitha t‘ia dalin të komunikojnë disi atë që ndiejnë dhe provojnë.