E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, e përlyer në skandalin e basteve

Futbolli europian është mbërthyer nga kthetrat e trukimeve të rezultateve. Sikur të mos mjaftonin skandalet e brendshme në vende të ndryshme, bastet kanë mbërthyer edhe turnetë ndërkombëtarë të organizuar nga UEFA. Por, tashmë Shqipëria rezulton e përlyer në skandalin e madh të basteve të publikuar dje nga vetë organi më i lartë i futbollit në Europë, i cili ka denoncuar dy takime të Vllaznisë dhe një të Tiranës si të përfshira zyrtarisht në listën e zezë në lidhje me 7 ndeshjet e hetuara nga UEFA për trukim. Gjithçka ka ardhur pas takimit në Nion të Zvicrës me nëntë federatat e përmendura javën e kaluar nga autoritetet gjermane (Austria, Belgjika, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Gjermania, Hungaria, Sllovenia, Zvicra e Turqia) për disa ndeshje të kampionateve kombëtare nën hetim dhe në bazë të informacioneve, sipas të cilave po hetohen edhe mbi disa ndeshje europiane. Sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino, ka lëshuar këtë deklaratë: "Duke filluar nga lista origjinale prej rreth 40 ndeshjesh në Europë, të konsideruara të dyshuara për sa u përket rezultateve, UEFA po heton së fundmi mbi 7 ndeshje të kompeticioneve europiane për klube, që bëjnë pjesë nën juridiksionin e saj. Pesë klubet e përfshira janë KF Tirana (ALB), FC Dinaburg (LVA), KS Vllaznia (ALB), NK IB Ljubljana (SVN) e Budapest Honved FC (HUN), në ndeshjet e tyre përkatëse. Ndeshja e kthimit Stabaek-Tirana (4-0), është ndeshja e vetme nën hetim nga edicioni i Champions League 2009. Ndërsa në 6 ndeshjet e tjera, të vlefshme për turin e dytë eliminator të Europa League 2009, dy i përkasin përballjes së Vllaznisë në sfidën e dyfishtë me Rapidin e Vjenës: humbja 5-0 në Austri dhe ajo 0-3 në kthim në Shkodër. "Përveç takimeve të sipërpërmendura, UEFA ka hapur hetim mbi përfshirjen e mundshme të tre gjyqtarëve dhe të një personi të lidhur me UEFA-n, shton Infantino. Natyrisht, deri në mbylljen e hetimeve nuk është e mundur të japim komente të mëtejshme apo emra personash që mund të jenë përfshirë". UEFA nënvizon se ka bashkëpunuar ngushtë me policinë dhe autoritetet gjermane dhe se, pas një hetimi të informacioneve mbi disa takime nga ana e policisë, u bë e mundur afrimi i asistencës falë sistemit të zbulimit të basteve ilegale, që në korrik 2009 kontrolloi takimet europiane dhe të kampionateve kombëtare të kategorive të para e të dyta. "Së bashku me federatat kombëtare, UEFA do të ngrejë një akuzë penale sa më shpejt që të jetë e mundur ndaj klubeve, drejtuesve e lojtarëve në vendet e prekura, sqaron sekretari i përgjithshëm. Kemi besim të plotë te federatat për të përballuar rastet relative në kampionatet kombëtare dhe do të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen". "Në fillim të gjithë kemi mbetur të tronditur nga përmasa e problemit, ka komentuar Infantino. Do të thosha se në fund të takimit, të gjithë ishin të bindur, sepse po punojmë së bashku. Natyrisht duhet të shtojmë se, në cilësinë e organit sportiv, instrumentet tona janë mjaft të limituara. Këtu flitet për krim të organizuar, për hetime kriminale, ose më mirë për gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me instrumentet që disponojmë. Do të varemi nga autoritetet publike, si ato të Bokumit. Ky është një kancer që së bashku mund ta mundim, duke e eliminuar nga futbolli. E kontrollojmë situatën që nga 2005-a dhe kemi qenë në gjendje të bëjmë diçka. Do të inkurajojmë të gjithë futbollistët, drejtuesit dhe të gjithë ata që dinë diçka, që të flasin me UEFA-n, Federatat e Futbollit, ligat dhe autoritetet për ta nxjerrë në dritë këtë problem, ka përfunduar sekretari i përgjithshëm i UEFA-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›