E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitchell përsëri në Lindjen e Mesme

Nga Express më 14 dhjetor 2010 në ora 12:36

I dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, George Mitchell ndodhet në Izrael, në kuadrin e përpjekjeve të administratës së Barack Obamas për rifillimin e bisedimeve të bllokuara të paqes.
Mitchell është paraparë të takohet sonte me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem. Ai gjithashtu planifikon të takohet edhe me presidentin palestinez, Mahmoud Abass, në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor.
Takimi vjen disa ditë pasi administrata Obama vendosi t’i japë fund negocimit për një tjetër pezullim të ndërtimit të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor.
Netanyahu e mirëpriti këtë vendim dhe tha se izraelitët dhe palestinezët duhet të diskutojnë për çështje të rëndësishme për të cilat ata kanë mosmarrëveshje. Megjithatë, udhëheqësit palestinezë kanë thënë se nuk do të kthehen në negociatat e drejtpërdrejta, nëse Izraeli nuk ndalon ndërtimin e vendbanimeve.
Në anën tjetër, liderja e opozitës izraelite qortoi kryeministrin Netanyahu, duke i kujtuar se arritja e një marrëveshje paqeje është në interesin e Izraelit, dhe jo në favor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Si rezultat i bisedimeve direkte për paqen me palestinezët, Izraeli ndodhet në disavantazh në aspektin e strategjisë”, theksoi liderja e opozitës, Tzipi Livni, gjatë një interviste për radion izraelite.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›