E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitet dhe “Teatri i hijeve”

01/04/2010 Refleksioni i Isufit

Çdo kohë prodhon mitet e veta dhe padyshim e shkuara është një burim frymëzimi në këtë pikë. Për njerëzit është e vështirë të shkëputen nga mentaliteti, sidomos kur dalin nga një shoqëri konservatore, e kornizuar në ide të krijuara mbi fuqizimin e mitit. Në njëfarë mënyrë këto mite të së djeshmes vazhdojnë të jetojnë edhe sot. Mbi këto mite Ardian Isufi mediton artistikisht dhe ngre “Teatrin e tij të hijeve”. Ai vëren se çdo gjë që prezantohet ka doza të një mentaliteti postkomunist, vështirë për t’u shkëputur... Në të sotmen, ashtu si dje, ndjehet individi që urdhëron dhe tregon, “rrëfyer” në monumentet dhe format e mitizura. Vazhdojnë të frymojnë “Heronjtë e Vigut”, Lenini, Ushtari i Panjohur, Njeriu i ri socialist... Të krijuara përgjatë Shqipërisë komuniste, ata vijnë edhe sot dhe e ngacmojnë piktorin Ardian Isufi, i cili i ka risjellë përmes tablove piktorike në një lojë metaforike ku dialogun me mitin. “Umbrarum Theatrum” (Teatri i Hijeve), kuruar nga Edi Muka është çelur dje paralelisht në dy galeri arti: në galerinë “Fap” të Akademisë së Arteve dhe në galerinë “Zeta”. Rreth 20 punë, mënyra e ekspozimit të të cilave të jep përshtypjen e një instilacioni, marrin referencë objekte apo edhe fenomene të së shkuarës për të vënë pikëpyetje të mëdha mbi ekzistencën e tyre, funksionalitetin dhe duke nxitur një autokritikë apo reflektim në të tashmen. Isufi është ndalur edhe në sheshet kryesore, tashmë me një identitet të caktuar.

“Titulli dhe përmbajtja e këtij aktiviteti është fryt i një bashkëbisedimi të gjatë dhe konstruktiv që kam pasur me kuratorin Edi Muka. Është një ekspozitë që lidhet me një pjesë të krijimtarisë sime të dy viteve të fundit ku u jam referuar elementeve të historisë sonë duke i vënë në një diskutim të hapur për publikun, i cili mund të ngrejë pikëpyetje, t’i rishikojë, të ngacmohet e të kërkojë përgjigje ndërmjet historisë, religjionit, politikës, kontekstit social etj”, vëren Isufi, ndërsa shpjegon se elementi qendror i kësaj ekspozite është monumenti i parë si koncept i mitit. “Monumentet para viteve ’90 kanë qenë pjesa më e rëndësishme vizuale, sepse ato e kanë deklamuar dhe reklamuar fort politikën e kohës. Në vetvete ata janë objekte që ne kërkojmë t’i kemi, një lloj ikone tek e cila kemi nevojë të besojmë. Duke i risjellë artistikisht, unë dua të vë në pikëpyetje vërtetësinë e tyre, përse na duhen dhe përse ne hiperbolizojmë ngjarje apo personazhe të caktuara që mund të jetë pika kyçe në histori, por që mbartin në vetvete si anët pozitive ashtu edhe ato negative”. I udhëhequr në punën e tij prej ideologjisë së kohës, ndërthurur edhe me historinë, disa punë i janë referuar edhe objekteve të religjionit, por ka dhe të tjera që vijnë në formën e artefaktit, si dëshmi reale. E tillë është vepra “Njeriu i ri socialist”, i Qazim Kërtushës dhe Luan Bërhamit, të cilën Isufi e ka gjetur në oborrin e Muzeut Arkeologjik në Durrës dhe e ka sjellë si një artefakt për të kuptuar ç’është miti dhe ç’është rënia e mitit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›